Arbën Xhaferi dhe hipokrizia politike

24 janar 2026 | 20:31

Shkruan: Arsim Sinani

Arbën Xhaferi mbetet një nga figurat më komplekse dhe më kontradiktore të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. I njohur për elokuencën, formimin filozofik dhe diskursin modern, ai synonte të ngrinte politikën shqiptare nga provincializmi drejt racionalitetit evropian. Megjithatë, veprimet e tij shpesh krijuan një hendek mes fjalës dhe praktikës – pikërisht aty ku lind akuza për hipokrizi.

Ai artikulonte vazhdimisht nevojën për demokraci, barazi qytetare dhe një shtet multietnik funksional. Por në praktikë, partia që drejtoi (PPD, PPDSH dhe PDSH) u shndërrua shpesh në një instrument pushteti të mbyllur, me vendimmarrje të centralizuar dhe pak hapësirë për demokraci të brendshme. Diskursi liberal bashkëjetonte me një kulturë autoritare, ku kritika e brendshme shihej si kërcënim, jo si vlerë demokratike.

Një tjetër dimension i hipokrizisë lidhet me raportin e tij ndaj sistemit maqedonas të pushtetit. Ai e kritikonte shtetin për diskriminimin e shqiptarëve, por njëkohësisht ishte pjesë aktive e koalicioneve qeverisëse që e riprodhonin atë sistem. Kjo krijoi perceptimin se retorika opozitare shërbente për konsum publik, ndërsa kompromiset reale bëheshin në kurriz të interesit afatgjatë shqiptar.

Veçanërisht problematik ishte qëndrimi i tij ndaj çështjeve kyçe kombëtare. Ndërsa fliste për “politikë racionale” dhe shmangie të “romantizmit nacional”, kjo shpesh u përkthye në relativizim të kërkesave themelore shqiptare: barazia reale, statusi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi institucional. Këtu hipokrizia shfaqet si distancë elitare nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve.

Megjithatë, do të ishte reduktuese ta shihnim Xhaferin vetëm përmes prizmit të hipokrizisë. Ai ishte produkt i një kohe tranzicioni, ku hapësirat e veprimit ishin të kufizuara dhe presioni ndërkombëtar impononte pragmatizëm politik. Por pikërisht këtu lind dilema morale: a e justifikon konteksti mospërputhjen mes parimeve të shpallura dhe veprimeve konkrete?

Arbën Xhaferi ishte lojtar; dinte të taktizonte dhe të bënte kompromise. Këtë e dëshmoi edhe gjatë Luftës së Kosovës, në raportet me Abdyrahman Alitin, si dhe më vonë në Prizren, në marrëdhëniet me Imer Imerin dhe Ali Ahmetin. Ai vepronte si realist politik, duke kuptuar pushtetin si proces negocimi dhe jo si akt moral absolut. Kompromisi për të ishte mjet, jo dobësi.

Shembulli më tipik është se Xhaferi e ndihmoi themelimin e Universitetit të Tetovës, dhe më pas e luftoi atë, duke themeluar Universitetin e Europës Juglindore. Kjo tregon aftësinë e tij për të taktizuar dhe për të realizuar vizionin e vet, edhe kur rrugët ndryshonin.

Trashëgimia e tij politike është po aq paradoksale sa vetë figura e tij. Xhaferi la pas shumicën e politikanëve që edhe sot janë aktivë – nga Menduh Thaçi, Zijadin Sela, Arben Taravari e deri te Arben Fetahu. Për ironi, asnjëri prej tyre nuk komunikon me njëri-tjetrin. Një fragmentim i tillë do të ishte, pa dyshim, subjekt i ironisë së vetë Arbën Xhaferit: një brez politikanësh që e trashëguan diskursin e tij, por jo kulturën e dialogut.

Konflikti mes partive shqiptare, realisht, filloi me paraqitjen e Arbën Xhaferit në skenë. Ai e kontrollonte këtë kaos, por sot, në mungesë të tij, ky kaos është bërë veprim politik: njeri hyn në qeveri, tjetri del; ai tjetri kritikon, ai tjetri mendon, ai tjetri pajtohet; tjetri voton, tjetri nuk voton.

S’di nëse Arbën Xhaferi ka menduar për vendin e tij në histori dhe ka kalkuluar për të ruajtur trashëgiminë e tij. Pasi ka mjaft kontraversitete në veprimet politike, posaçërisht te shqiptarët në Maqedoninë Veriore, ku ai edhe ka ngritur filozofinë e tij. Shpesh jashtë e shikojnë si hero, por problemet e ripërsëritura e demantojnë.

Sidoqoftë, filozofia dhe ironia e tij i mungojnë politikës në Maqedoninë Veriore. Ironikisht edhe sot shqiptarët kanë nevojë për një prijës që i nxjerr nga ironia, hipokrizia dhe makiavelizmi ku jemi zhytur mbi 30 vjet e deri më sot.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykatën Themelore të Prizrenit kanë përfunduar dy seanca dëgjimore ndaj…