Arbi Pupovci: Realizova ëndrrën e të gjithë familjes

04 shkurt 2021 | 11:22

Arbi Pupovci është sportisti i parë i Kosovës që siguroi një normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

20-vjeçari nga Peja mblodhi pikët e mjaftueshme të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS) për ta fituar normën olimpike në disiplinën e sllallomit të skijimit alpin. Për ta fituar normën në këtë disiplinë duheshin pesë rezultate me pikë më pak se 160 në një garë.

Pupovci rezultatin e pestë e arriti javën e kaluar në Pamporovo të Bullgarisë, ku edhe u ngjit në podium si vendi i tretë. Paraprakisht mori pjesë në Borovets të Bullgarisë, në Kollashin të Malit të Zi, si dhe në Erzurum të Turqisë.

Krahas Pamporovos, medaljen e bronztë e kishte fituar edhe në Erzurum në dhjetor të vitit të kaluar. “Është ndjenjë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur që e arrita këtë synim. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse është dashur të marrësh pjesë në gara dhe t’i përsëritësh rezultatet. Po ashtu, në Borovets, kushtet ishin të vështira, ndërsa në Pamporovo më mirë”, ka thënë Pupovci për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Arbi rrjedh nga një familje, që gati tërë jetën ia ka kushtuar sportit të dimrit. Është fëmija i tretë, kurse babai i tij është Agim Pupovci, përzgjedhës i Kosovës në skitari. Vëllezërit e Arbit janë Taulanti, Dardani dhe Eordejti, ndërsa motra, Arba, e shoqëroi në disa gara ndërkombëtare të këtij viti. Dy vëllezërit më të mëdhenj, Taulanti dhe Dardani, e ndihmojnë Arbin në cilësinë e trajnerëve. “Arritja e normës olimpike ka qenë ëndrra e gjithë familjes, andaj atyre dhe gjithë përkrahësve të mi ua dedikoj këtë sukses”, ka deklaruar Pupovci, garuesi i klubit Alpi të Pejës. Misioni i radhës për Arbin është kampionatin botëror i cili prej 8-21 shkurtit 2021 mbahet në Cortina d’Ampezzo të Italisë, vend ky që në vitin 2026 bashkë me Milanon do t’i mirëpresin Lojërat Olimpike Dimërore. “Në botëror synoj të kualifikohem për në garën kryesore në të dyja disiplinat, sllallom dhe sllallom të madh. Nëse e arrij këtë, atëherë shpresoj të hyjë në top 50-she, që do të ishte sukses”, ka shtuar ai.

Në botëror, krahas Arbit, do të marrin pjesë edhe Albin Tahiri e Fiona Blaka Rusta. Tahiri kishte përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeong Chang 2018”, në të pesë disiplinat e skijimit alpin. Edhe ai është duke garuar për ta fituar normën. Ekipi olimpik i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në Olimpiadë me dy garues të së njëjtës disiplinë. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse ndonjëri prej skitarëve tanë ndodhet në top 30-she në disiplinë. “Meqë Arbi ka siguruar normën, Albini shkon në disiplinë tjetër”, ka thënë përzgjedhësi Agim Pupovci. Tahiri pritet ta fitojë normën olimpike në të pesë disiplinat, por në olimpiadë me gjasë do të garojë në disiplinat më të shpejta si: super sllallom të madh, lëshim dhe kombinim alpin.

Pupovci, krahas sllallomit, synim e ka ta fitojë normën edhe në sllallom të madh ku, po ashtu, duhen pesë rezultate me pikë nën 160. Normën olimpike po e kërkon edhe Fiona Blaka Rusta e Kiana Kryeziu në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh, por që me rezultate janë ende larg. Arbi, Albini e Fiona janë bursistë të KOK-ut për LOD Pekin 2022. Ata marrin bursë prej nëntorit të vitit 2019.

“Bursa më ka ndihmuar shumë, sidomos në përgatitje, ushtrime fizike, udhëtime etj”, ka shtuar Pupovci, i cili me ski ka filluar të stërvitet prej moshës katërvjeçare. Lojërat Olimpike Dimërore mbahen prej 4 deri më 20 shkurt 2022 në Pekin të Kinës.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas 66 ndeshjeve pa humbje në shtëpi, Liverpooli ka humbur…