Ardian Gjini në Mitrovicë: Mbështetja për njerëzit që krijojnë vende pune është detyrë e shtetit
Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka vizituar sot fabrikën “Missini Sweets” në Mitrovicë, të cilën e cilësoi si një histori të jashtëzakonshme të punës, familjes dhe suksesit vendor.
Gjini ka thënë se gjatë vizitës pati kënaqësinë të takojë zonjën Sabahate, e cila me vizionin dhe guximin e saj e nisi biznesin nga zero, si dhe djalin e saj, Lindritin, që sot po udhëheq kompaninë drejt përmasave kombëtare.
“Detyra jonë më e madhe është t’u shërbejmë dhe t’u krijojmë hapësirë njerëzve të tillë”, ka thënë Gjini.
Ai ka theksuar se suksese të tilla përfaqësojnë Kosovën që qytetarët duan të ndërtojnë, ku sa më shumë njerëz nisin nga hiqi dhe arrijnë rezultate të mëdha përmes punës dhe përkushtimit.
“Kjo është Kosova që duam. Ky është shembulli dhe mesazhi që po e përçoj çdo ditë”, ka thënë Gjini, duke falënderuar familjen Misini për mikpritjen dhe frymëzimin.



