Ardian Gola: Nga “do t’fitojmë pa balotazh”, në…

02 nëntor 2025 | 23:21

Kandidati për kryetar të Gjakovës ng radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ka reaguar pas nënshkrimit të koalicionit në mes AAK-së dhe LDK-së në Gjakovë.

Reagimi i plotë i Golës:

I kuptoj plotësisht AAK-në. Fillimisht mendonin se fitojnë pa balotazh. Nuk ia dolën. E tash s’u mbeti tjetër pos të bëjnë aleanca me parti të tjera sepse e dinë se qeverisja e tyre pa plan e pa vizion, me investime në beton e asfalt, nuk ua garantojnë fitoren. Ata e dinë se në tetë vjet qeverisje, nuk ka përfituar qytetari i Gjakovës, por vetëm strukturat e tyre parapolitike të shtrira thellë në administratë e ekonomi lokale. Prandaj u lind nevoja për koalicione, anipse në raundin e parë dolën me 47%. Kjo tregon më se miri se sa i brishtë është pushteti i tyre. Sa e brishtë është siguria, të cilën e simulojnë në paraqitjet e tyre publike se do të fitojnë bindshëm në balotazh. Pra, kjo nuk është forcë. Është shenjë dobësie. Është frikë nga fundi.

Por ajo çfarë nuk po arrij të kuptoj dot është udhëheqësia e LDK-së, sidomos udhëheqësia lokale, e cila sot paska zgjedhur t’i bëhet shtyllë mbajtëse një pushteti që po shembet nën peshën e vet; një pushteti, i cili po numëron ditët e fundit të ekzistencës së tij politike. LDK-ja, dikur emër i integritetit qytetar nën hijen e rëndë të presidentit historik Ibrahim Rugova, sot po vazhdon të shërbejë si strehë e përkohshme për të vjetrën në vend që të bëhet urë drejt së resë. Ajo zgjodhi të ruajë folenë e keqpërdorimeve dhe abuzimeve me menaxhimin e komunës. Për kundër se në pjesën e parë të garës vetë i shpërfaqi këto abuzime, në pjesën e dytë vendosi të bëhet pjesë e vazhdimit të tyre!

Por, tashmë ndryshimi në Gjakovë nuk është më çështje partish.

Në këtë fazë të degjenerimit urban, të falimentimit të arsimit, të kolapsit të shëndetësisë, shpopullimit të fshatrave dhe mbipopullimit të qytetit, dominimit klientelist e koniunktural, ndryshimi nuk është veç imperativ politik, por edhe imperativ qytetar. Është thirrje morale, nevojë për frymëmarrje kolektive. Prandaj, ne ecim përpara. Me ose pa partitë e tjera.

Kur udhëheqësitë e partive bëhen bashkë kundër ndryshimit, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon pandalshëm bashkërrugëtimin e nisur me qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, drejt ndryshimit. Lëvizja Vetëvendosje nuk e braktis as ndryshimin e as qytetarët. Ngase ndryshimi në Gjakovë është jo vetëm domosdoshmëri politike, por edhe pashmangshmëri qytetare.

Për këtë frymë jemi të rreshtuar.

Për këtë kauzë jemi të palëkundur.

Vetëvendosja është lëvizja që i duhet Gjakovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është…