
Arian Tahiri kundër gjuhës arrogante të Pecit: “Mitrovica ka nevojë për respekt dhe dinjitet”
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka theksuar rëndësinë e kulturës së respektit dhe sjelljes edukate në politikë, duke u shprehur kundër gjuhës arrogante dhe propaganduese.
Ai deklaroi në Rubikon se Mitrovica ka nevojë për një qeverisje që është afër qytetarëve, duke pasqyruar të vërtetën dhe potencialin e qytetit.
”Konsideroj që është kulturë personale e secilit dhe unë mbajë nivelin dhe edukatën time siç jam mësuar në familjen time. Por mandej është edhe një kulturë politike që kemi mësuar nga kryetari Bedri Hamza”, u shpreh ai kur u pyet mbi qasjen e ashpër të kundërkandidatit të tij nga VV, Faton Peci.
”Mitrovicasve nuk i bëjmë nderë me gjuhë e sjellje arrogante e propaganduese. Mitrovica ka nevojë për respekt, dinjitet e angazhim”, shtoi ai ndër tjera.
Rubikon: Si i tillë Peci po del i paedukatë sipas jush?
”Po e prezantoj çka unë mendoj dhe ndjejë dhe qytetari i Mitrovicës mirëpo edhe opinioni gjithandej e jep vlerësimin dhe përceptimin më të saktë dhe më të duhur”.
Derisa u shpreh dhe tejet mirënjohës për mbështetjen që mori nga kryetari aktual i komunës, Bedri Hamza, njëherit kandidat për kryeministër nga PDK.
”Është edhe hapje e rrugës, mirëpo është edhe mbështetje, që një lider i një gjenerate tjetër, i jep një gjenerate tjetër. Kemi qenë bashkë edhe në sfidat që kemi pasur gjatë qeverisjes. Është shembull në kuptimin e një lidershipi”.
”Respektoj të gjitha partitë politike në qytetin e Mitrovicës, kam raporte të mira të shëndosha, kam ndërtuar raporte me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Janë qytetarët e Mitrovicës ata që më njohin edhe mua, por i njohin edhe ata, dhe ata do të vendosin për secilin prej nesh”.
Tahiri tutje vlerësoi edhe çështjet që sipas tij acaruan kundërkandidatin e tij Faton Peci, i cili rezultoi me gjuhë të papërshtatshme ndaj tij gjatë një paraqitjeje televizive.
”Kjo është ajo beteja, që është ballafaquar në një formë e vërteta, e sinqerta respekti, me anën tjetër”.
”Kam tentuar çdo herë ta pasqyrojë dhe promovojë të vërtetën, potencialin e Mitrovicës, bazuar në fakte dhe dëshmi”.
”Jam rrit në qytetin e Mitrovicës, i njoh të gjitha rrugët, kam pasur katër vite kontakte të vazhdueshme në komunën e Mitrovicës, me qëllimin që ta promovojë një qeverisje shumë afër qytetarit dhe një angazhim që i duhet qeverisjes së Mitrovicës”.