Arian Tahiri premton transformim të Mitrovicës: Shëndetësia, infrastruktura, shkollat, tregjet dhe parkingjet në qendër të programit

02 tetor 2025 | 23:09

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, në emisionin Pressing të T7 ka prezantuar punët e realizuara gjatë katër viteve të fundit dhe programin e tij 4-vjeçar për zhvillimin e qytetit, duke renditur si prioritet: shëndetësinë, infrastrukturën, lumenjtë, hapësirat publike, transportin, tregun dhe arsimin.

Tahiri tha se gjatë mandatit të tij, prioritet ka qenë transformimi i sektorit të shëndetësisë në Mitrovicë.
“Ne kemi mbërritur me realizu numër të madh projektesh, disa janë në proces të realizimit dhe ka të tjera që priten të realizohen. Prioritet ka qenë shëndetësia, QKMF është e rindërtuar krejtësisht e re, është një prej objekteve më të mira në Ballkanin Perëndimor, me kushtet dhe standardet dhe aparaturat që i ka. I kemi renovuar të gjitha ambullantat në të gjitha lagjet e qytetit dhe në fshatra dhe i kemi ndërtuar tri të reja. Pra është transformuar sektori i shëndetësisë në Mitrovicë. Ka pas rëndësi edhe aspekti i infrastrukturës”, tha Tahiri.

Ai prezantoi detaje të programit të tij 4-vjeçar, duke theksuar se prioritet do të jenë:
Shëndetësia – vijimi i investimeve në QKMF dhe ambullanta, modernizimi i aparaturave dhe standardeve të shërbimeve.
Infrastruktura – përmirësimi i rrugëve dhe ndriçimit publik, hapësira të gjelbërta dhe kënde për fëmijë.
Lumenjtë dhe shëtitoret – trajtim i tërësishëm i lumenjve dhe zhvillimi i hapësirave rekreative.
Transporti dhe parkingjet – ndërtimi i tri parkingjeve publike për 2500 automjete, modernizimi dhe digjitalizimi i stacionit të autobusëve, funksionalizimi i transportit publik edhe për lagjet dhe fshatrat.
Tregu i qytetit – ndërtimi i një tregu në qendër që ofron hapësirë dinjitoze për shitësit dhe bujqit.
Arsimi – ndërtimi i tri shkollave të reja, përfshirë shkollën “Avdullah Shabani” në qendër të qytetit dhe shkollën “Nonda Bulka” buzë ibrit.

Tahiri theksoi se të gjitha projektet janë të planifikuara me analizë të kostos dhe kohës së implementimit dhe se qytetarët e Mitrovicës mund të presin realizim konkret të tyre nëse ai fiton zgjedhjet e 12 tetorit.

“Do të mbyllet cikli i unazës së brendshme të Mitrovicës, do të ndërtohen parkingje, dhe do të funksionalizohet transporti publik. Gjithashtu, tregu në qendër do t’u japë bujqve dhe shitësve hapësirën e duhur për produktet e tyre, ndërsa tri shkolla të reja do të përmirësojnë mundësitë arsimore për fëmijët”, përfundoi Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Së fundmi, një raport i publikuar nga…