Arian Tahiri reagon pas dëmtimit të vendpunishtes së urës në Mitrovicë: Duhet hetim serioz dhe unitet për ta përfunduar projektin
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka reaguar pas dëmtimit të vendpunishtes së urës së këmbësorëve në lumin Ibër, duke kërkuar hetim të plotë të rastit dhe bashkëpunim të institucioneve për ta përfunduar projektin me sukses.
Tahiri ka thënë se ka vizituar nga afër vendin e ngjarjes për të parë gjendjen e krijuar, duke shprehur keqardhje për dëmet që ka pësuar kompania ndërtuese dhe punëtorët e saj.
“Si nënkryetar dhe qytetar i Mitrovicës, shpreh keqardhje për dëmet që ka pësuar kompania dhe punëtorët e saj, të cilët me përkushtim kanë qenë duke punuar në këtë projekt të rëndësishëm për qytetin tonë,” ka shkruar Tahiri.
Postimi i tij i plotë:
Erdha në vendpunishten e Urës së Këmbësorëve për ta parë nga afër gjendjen e krijuar. Si nënkryetar dhe qytetar i Mitrovicës, shpreh keqardhje për dëmet që ka pësuar kompania dhe punëtorët e saj, të cilët me përkushtim kanë qenë duke punuar në këtë projekt të rëndësishëm për qytetin tonë.
Kjo është kohë kur të gjithë ne, institucionet qendrore, komuna dhe qytetarët, duhet të tregojmë maturitet dhe përgjegjësi.
Njëkohësisht, duhet të hetohet me seriozitet se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që punimet të vazhdojnë dhe ura të përfundojë me dinjitet.
Mitrovica ka nevojë për besim dhe bashkëpunim. Mitrovica ka nevojë për unitet dhe përkushtim, që çdo projekt i nisur të përfundojë me sukses dhe në dobi të qytetarëve tanë.



