Arianit Koci kritikon thirrjen e Osmanit për shmangien e kalimit nëpër Serbi: Shteti nuk ndërtohet mbi frikë

25 nëntor 2025 | 23:12

Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj thirrjes së presidentes Vjosa Osmani që qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë, pas rasteve të përsëritura të arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe.

Koci thotë se shqetësimi është i arsyeshëm dhe rreziku real, por paralajmërimet e tilla nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete nga shteti.

“Por një shtet nuk ndërtohet mbi një klimë frike. As mbi mesazhe që, pa dashje, prodhojnë ndjenjën e dorëzimit. Kur thua “mos shkoni”, atëherë duhet të tregosh edhe “si do t’ju mbrojmë” dhe “çfarë zgjidhje po ofrojmë”, shkroi ai.

Sipas Kocit, një qasje e tillë e cunguar vetëm sa krijon pasiguri dhe kërkon që shteti të veprojë me plan të qartë. Ai liston disa hapa që sipas tij duhen ndërmarrë menjëherë:

– të ofrojë rrugë alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën;

– të garantojë mbrojtje konsullore të menjëhershme për çdo qytetar që përballet me autoritetet serbe;

– të koordinohet ngushtë me shtetet mike për monitorimin e rasteve të ndalimeve;

– të vendosë masa reciproke të peshuara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;

– të ushtrojë presion diplomatik të vazhdueshëm që këto praktika të marrin fund.

“Kjo është mënyra se si vepron një shtet serioz: me qetësi, me plane, me përgjegjësi. Pa u tërhequr, pa u frikësuar, pa u përkulur,” thekson ai.

Në fund, Koci thekson se Kosova ka ecur përpara duke hapur rrugë e mundësi, jo duke i mbyllur ato.

“Patriotizëm nuk është me i trembë njerëzit. Patriotizëm është me i mbrojtë,” përfundon ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dyert e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sic duket do të…