Arif Molliqi boton librin “Kreshnikët e Boksh Barutit”

25 maj 2023 | 14:52

Shkrimtari dhe krijuesi Arif Molliqi, i cili prej tri dekadash e sa jeton e krijon në Mërgatë (Gjermani), pas një serë veprash në poezi, prozë dhe publicistikë, kësaj here lexuesit i befason me një vepër të re, ndryshe nga të tjerat . Bëhet fjalë për përmbledhjen me poezi humoristike, satirike e parodi pikante, me titull, “Kreshnikët e Boksh Barutit”, të cilat fshikullojnë përditshmërinë tonë që nga fundi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, veçmas skenën tonë politike dhe ate, skenën gjithëshqiptare, të cilën , natyrisht për ta parë ashtu si duhet, e karikaturon tej mase përmes vargjeve, duke ia shpërfaqur në publik, përmes petkit poetik, të gjitha të palarat, gafet, naivitetet, sorollitjet, mendjemadhësit e kapërdisjet e shfrenuara brenda e jashtë trojeve tona.

Një pjesë e lexuesve si dhe njohësve të letërsisë, veçmas bashkohanikët e Arif Molliqit, e dinë që Boksh Baruti është pseudonimi i hershëm i shkrimtarit, qysh nga vitet shtatëdhjeta kur kishte filluar të merrej me humor dhe ishte njëri nga bashkëpunëtortët e zellshëm të revistës për humor e satirë, “Thumbi” nga Prishtina.

Arif Molliqi, këtë mjeshtri të stërholluar të humorit e satirës si dhe këngëve parodike nga kjo fushë, e ka ushtruar edhe më vonë, në revista të kësaj natyre, në portale e rrjete sociale, duke dëshmuar një afinitet solid në shkrimin e kësaj poezie po dhe një guxim e shkathtësi në gjetjen dhe mbarështrimin e dukurive të ndryshme nga realiteti ynë i përditshëm që, dashur pa dashur, shndërrohet në “lëndë të parë”, për këtë krijues të palodhshëm.

Shënime për autorin

Arif Molliqi lind më 11 janar 1953 në Llukë të Epërm të Deçanit. Studioi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik, drejtimi për gazetari. Shkrimet e para , të cilat ishin nga fusha e humorit, i botoi me pseudonime të ndryshme si: Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etj. Më vonë, vazhdoi më poezi, prozë, skica, ese e tjera. Bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës në faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor. Së fundmi është anëtar i redaksisë në revistën më prestigjioze “Akademia”, e cila botohet në Prishtinë.

Deri më tash ka botuar këto libra: 10 libra me poezi, 6 romane, 2 drama. 3 monografi si dhe një libër me skica dhe ese. Molliqi tështë prezantuar edhe në disa libra, studime dhe antologji të ndryshme, po është dhe fitues e disa çmimeve letrare në Kosovë e jashtë saj.

Libri i tij më i ri, “Kreshnikët e Boksh Barutit”, i botuar nga shtëpia botuese, “Beqir Musliu”, do të jetë pjesë e Panairit të Librit, në pjesën e parë të qershorit, në Prishtinë.

Sabit Rrustemi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema “shpërthen” kundër vlerësimeve që…