Arifi: Dialogu s’ka alternativë

16 janar 2018 | 19:13

Avni Arifi, shef i ekipit negociator me Serbinë, ka thënë se dialogu me shtetin fqinj është i paalternativë dhe i pashmangshëm, megjithë pengesat që mund të dalin në rrugë.

Arifi ka deklaruar se duhet të vazhdohet me implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe që palët të kthehen në tyrezën e bisedimeve.

“Ka qenë e planifikuar sot në mëngjes një takim me palën serbe, ku do të diskutohej për formën e organizimit të punës, dhe më pas dy takime sektoriale. Mirëpo rrugës, një zyrtar i Bashkimit Evropian na informoi për rastin (vrasjen e Oliver Ivanoviq) dhe se delegacioni serb është kthyer në hotel, përkatësisht është tërhequr nga bisedimet”, deklaroi ai në “Info Magazine” të “Klan Kosovës”.

“Zyrtarët serbë po krijojnë përshtypjen e fajësimit tonë për këtë ngjarje. Por duhet pritur mekanizmat e drejtësisë, që të identifikohen kryerësit e kësaj vepre, ndërsa politika serbe duhet të tërhiqet nga këto veprime. Dialogu është i paalternativë, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën. Kanë mbetur shumë marrëveshje pa u implementuar. Është në interes të dy palëve që kjo gjë të ndodhë. Të dy qeveritë në shumë raste janë deklaruar se e përkrahin dhe duan ta implementojnë dialogun. Incidente si këto nuk duhet ta zvarrisin këtë punë. Pavarësisht deklarimeve, që nuk kanë munguar në ditët e fundit, ky proces është i pandalshëm, i paalternativë. Neve na mbetet që të ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, por edhe delegacionin serb, që të kthehen në tryezë dhe të implementohen marrëveshjet e arritura”, shtoi Arifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politikani serb Vuk Drashkoviq, kryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe…