Arkeologët gjejnë një qytet 3 500-vjeçar në Peru, dikur qendër tregtare me skulptura dhe bizhuteri

08 korrik 2025 | 08:18

Një qytet i lashtë është zbuluar në Peru, që dikur ishte një qendër tregtare mijëra vjet më parë.

Vendbanimi 3,500-vjeçar, i quajtur Peñico, ndodhet në provincën veriore të Barranca-s, afër vendit ku u zhvillua qytetërimi Caral, më i vjetri në Amerikë, 5,000 vjet më parë, transmeton Telegrafi.

Arkeologët besojnë se Peñico ka të ngjarë të ketë qenë një qendër tregtare, që lidhte kulturat e bregdetit të Paqësorit me ato në malet e Andeve dhe pellgun e Amazonës.

U zbuluan tempuj ceremonialë dhe komplekse banimi, si dhe një strukturë rrethore në një tarracë kodre, me mbetje ndërtesash prej guri dhe balte të ndërtuara rreth 600 metra mbi nivelin e detit.

Muret e një sheshi qendror dallohen për relievet e tyre skulpturore dhe përshkrimet e pututu-së, një trombë prej guaskë kërmilli, tingulli i së cilës përhapet në distanca të gjata.

Në ndërtesa të tjera, studiuesit gjetën skulptura balte të figurave njerëzore dhe shtazore, objekte ceremoniale dhe gjerdan të bërë nga rruaza dhe guaska deti.

Qyteti i atëhershëm plot jetë – me 18 struktura që kanë mbijetuar dhe janë studiuar në tetë vitet e fundit – do të ketë qenë në kulmin e tij afërsisht në të njëjtën kohë me qytetërimet e hershme në Lindjen e Mesme dhe Azi, midis viteve 1800 dhe 1500 para Krishtit.

Por ajo që i ka intriguar më shumë arkeologët është se Peñico është afër vendit ku u zhvillua qytetërimi Caral, më i vjetri në Amerikë, 5000 vjet më parë.

Caral, i përbërë nga 32 struktura monumentale, konsiderohet bashkëkohës i qytetërimeve në Egjipt, Indi, Sumeri dhe Kinë.

Megjithatë, ndryshe nga ato, ai u zhvillua në izolim të plotë, sipas studiuesve.

Ruth Shady, arkeologia që udhëhoqi kërkimin në Peñico, tha se qyteti i sapozbuluar është kyç sepse ekspertët besojnë se ai u shfaq pasi qytetërimi Caral u shkatërrua nga ndryshimet klimatike.

Peruja është një qendër e kulturave të lashta dhe shtëpia e vendeve arkeologjike si rrënojat Inka të Machu Picchu në Cusco dhe linjat misterioze Nazca, të vendosura në rajonin e shkretëtirës përgjatë bregdetit qendror të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Budapestit ka pezulluar përkohësisht operacionet për shkak…