Arkitektura e barazisë: Pse vëllezërit në Kosovë ndërtojnë shtëpi të njëjta?
Sipas sociologut Genc Xërxa, “shtëpitë e njëjta janë pjesë e kontekstit kulturor që tregon një lloj barazie”.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se familjet përpiqen të shmangin xhelozinë dhe përçarjet, duke ruajtur uniformitetin mes vëllezërve.
Në vitin 2025, ky fenomen u hulumtua edhe nga antropologu çek, Radan Haluzík, i cili e sheh këtë praktikë si një përgjigje ndaj ndryshimeve të mëdha kulturore dhe ekonomike, ku familjet përpiqen të balancojnë pabarazitë ekonomike mes vëllezërish, mungesën fizike të anëtarëve që jetojnë jashtë vendit, dhe dëshirën për privatësi, duke përdorur arkitekturën si “një formë adaptimi ndaj presioneve të globalizimit”.
Megjithatë, sipas tij, mbetet e paqartë nëse arkitektura mund të zgjidhë plotësisht tensionet dhe kontradiktat që sjellin këto ndryshime shoqërore.

1. Rreshta shtëpish të njëjta, të ngritura pranë njëra-tjetrës, mund të shohësh kudo nëpër Kosovë. Ato krijojnë një pamje që, sipas sociologëve e antropologëve, është reflektim i lidhjeve të forta familjare.

2. Fasadat e bardha ose me ngjyra të lehta, ballkonet e njëjta dhe dritaret simetrike japin përshtypjen sikur një shtëpi është kopjuar disa herë në të njëjtën parcelë.

3. Ky uniformitet nuk është rastësi, por sipas sociologut Genc Xërxa është një zgjedhje e vetëdijshme, për të ruajtur barazinë dhe për të shmangur çdo ndjenjë xhelozie mes anëtarëve të familjes.

4. Sipas hulumtimit të antropologut Radan Haluzik, në shumë raste edhe brendësia e shtëpive – nga mobiljet deri te ndarja e dhomave – është e ngjashme, duke theksuar dëshirën për një trajtim të barabartë.

5. Në punimin e Hazulikut theksohet se “shtëpitë imitojnë stilin dhe rehatinë e vilave të periferive evropiane dhe amerikane, por gjithashtu në shumë aspekte pasqyrojnë stilin e jetesës lokale, jetën tradicionale të familjeve (të përbashkëta)”.

6. Disa prej këtyre shtëpive qëndrojnë bosh për pjesën më të madhe të vitit, pasi pronarët jetojnë në mërgim dhe kthehen vetëm gjatë pushimeve.

7. Megjithatë, edhe kur janë të pabanuara, sipas ekspertëve ato mbeten “simbol i suksesit ekonomik dhe lidhjes së fortë me vendlindjen”.

8. Sociologu Xërxa thotë se fenomeni shpesh pasqyron një kompromis mes dëshirës për jetë individuale dhe nevojës për të ruajtur unitetin e familjes së zgjeruar.

9. Sipas Xërxës, fenonemi ka krejt kontekst të kundërt me lagjet private që, po ashtu, përmbajnë shtëpi të njëjta për nga pamja, por që në thelb “nënkupton privatësi dhe siguri të personave të pasur në lagje të ndara”.

10. Në studimin e Hazulikut, ai vëren se modeli ku dy, tre apo më shumë vëllezër ndërtojnë shtëpi të njëjta pranë njëra-tjetrës është bërë veçanërisht i përhapur në dy dekadat e fundit



