
Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, Donald Trump nominohet për Nobelin e Paqes
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është propozuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025 për rolin e tij “të jashtëzakonshëm dhe historik” në ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas asaj që raporton Fox News, propozimi është bërë nga përfaqësuesi i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Buddy Carter, i cili në një letër drejtuar Komitetit të Nobelit vlerësoi lidershipin e Trump në përfundimin e asaj që u quajt “Lufta 12-ditore”.
Sipas Carter, ndërhyrja e Trump ndihmoi në ndalimin e përshkallëzimit të dhunës dhe në shmangien e një lufte të mundshme bërthamore, duke e cilësuar atë si një akt të vërtetë diplomacie ndërkombëtare.
Armëpushimi, i shpallur nga vetë Trump, hyri në fuqi pas një zinxhir ngjarjesh dramatike që përfshinë një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, ndjekur nga shkëmbime të ashpra raketash dhe ndërhyrje ajrore nga SHBA. Irani reagoi me sulme ndaj një baze amerikane në Katar, por sipas raportimeve, ishte dhënë paralajmërim paraprak dhe nuk pati viktima.
Carter theksoi se “veprimet vendimtare të Presidentit Trump ishin thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë që shumë e konsideronin të pamundur”, duke shtuar se përpjekjet e tij “përfaqësojnë idealet që Çmimi Nobel për Paqe synon të nderojë: ndjekjen e paqes, parandalimin e luftës dhe përparimin e harmonisë ndërkombëtare”.
Kjo nuk është hera e parë që Trump nominohet për këtë çmim prestigjioz. Më herët gjatë vitit, ai është propozuar edhe për ndikimin e tij global pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ndërkohë, sipas faqes zyrtare të Nobelit, për vitin 2025 janë paraqitur gjithsej 338 kandidatura për Çmimin për Paqe.
Megjithatë, nominimi i Trump ka ngjallur reagime të përziera në arenën ndërkombëtare. Një ligjvënës ukrainas, i cili më parë kishte propozuar Trump për Nobel për përpjekjet për paqe në Ukrainë, ka tërhequr zyrtarisht nominimin, duke deklaruar se ka humbur besimin në aftësinë e tij për të ndalur luftën në Europën Lindore.
Po ashtu, në Pakistan, ku disa zyrtarë kishin mbështetur nominimin për ndërhyrjen e Trump në krizën Indi-Pakistan, janë ngritur zëra të fortë kundër, sidomos pas sulmeve amerikane ndaj Iranit.