Armëpushimi në Gazë po respektohet, Izraeli ka të drejtë të përgjigjet nëse sulmohet

29 tetor 2025 | 08:29

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se armëpushimi në Gazë – që mbështetet nga Uashingtoni – nuk është në rrezik, pasi Izraeli kreu sulme në enklavën palestineze, duke vrarë të paktën 50 persona, në përgjigje të vrasjes së një ushtari izraelit.

Avionët izraelitë goditën Gazën më 28 tetor pasi Izraeli e akuzoi Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se ka shkelur armëpushimin, të ndërmjetësuar nga Trumpi tre javë më parë.

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha për agjencinë AFP të mërkurën se të paktën 50 persona u vranë gjatë sulmeve izraelite. Sipas kësaj agjencie, 22 nga viktimat ishin fëmijë, por edhe gra dhe të moshuar si dhe afër 200 të tjerë u plagosën.

“Siç e kuptova, ata vranë një ushtar izraelit”, tha Trump për gazetarët në bordin e avionit presidencial. “Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën dhe ata duhet të kundërpërgjigjen. Kur diçka e tillë ndodh, ata duhet të kundërpërgjigjen”, shtoi ai.

Ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e një ushtari të saj.

“Asgjë nuk do ta vë në rrezik” armëpushimin, tha Trump. “Duhet ta kuptoni se Hamasi është një pjesë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë”.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar menjëherë për sulmet ajrore, që u kryen pasi Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, lëshoi një deklaratë të tij përmes së cilës udhëheqësi izraelit tha se kishte urdhëruar “sulme të menjëhershme dhe të fuqishme”.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Hamasi e kishte shkelur armëpushimin duke kryer një sulm ndaj forcave izraelite që ishin të stacionuar brenda të ashtuquajturës “linjë të verdhë” – linjë për dislokimin e trupave, sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Marrëveshja e armëpushimit që u ndërmjetësua nga SHBA-ja hyri në fuqi më 10 tetor, duke ndalur dy vjet luftë që u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Që nga hyrja në fuqi, të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

“Nëse [Hamasi] sillet mirë, ne do të jemi të lumtur. Në të kundërtën, ata do të vriten”, tha Trump.

Hamasi ka mohuar se qëndron prapa sulmit ndaj forcave izraelite në Rafah, në pjesën më jugore të Gazës, dhe përmes një njoftimi tha se vazhdon të respektojë marrëveshjen e armëpushimit. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy po merr trajtim preferencial, pasi filloi…