
Armëpushimin në Ukrainë? Zelensky shpreh dëshirën për takim kokë më kokë me Putinin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur dëshirën për të bërë një takim kokë më kokë me homologun armik rus, Vladimir Putin.
Në një komunikim të tij, Zelensky është shprehur se dialogu me Rusinë është duke vijuar, për shkëmbimin e të burgosurve. Ai ka thënë se pala ukrainase sakaq, po punon për shkëmbimin e radhës e personave të marrë peng.
“Dialogu me palën ruse për shkëmbimin e të burgosurve është në vazhdim. Ne po vazhdojmë të zbatojmë marrëveshjet e arritura gjatë takimit të mëparshëm në Stamboll. Ekipi ynë aktualisht po punon për një tjetër shkëmbim”, ka thënë ai.
Zelensky, ka pohuar se sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrotjes, ka propozuar që javën pasardhëse të zhvillohet një takim mes palëve Ukrainë-Rusi, për të rritur ritmin e negociatave dhe të arrihet një armëpushim.
“Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Umerov, raportoi gjithashtu se ka propozuar një tjetër takim me palën ruse për javën e ardhshme. Ritmi i negociatave duhet të rritet. Duhet bërë gjithçka për të arritur një armëpushim. Dhe pala ruse duhet të ndalojë së fshihuri nga vendimmarrja. Shkëmbimi i të burgosurve. Kthimi i fëmijëve. Fundi i vrasjeve”, është shprehur Zelensky.
Por, presidenti ukrainas është shprehur se është shumë i nevojshëm takimi Ukrainë-Rusi, por në nivel liderësh, që do të thotë një përballje mes Zelenskyt dhe Putinit. Zelensky ka thënë se ai është i gatshëm për një takim të tillë, por duket se pret aprovimin e Putinit për këtë gjë.