Arrest shtëpiak për avokatin që publikisht e akuzoi Vuçiqin për “Sarajevo safari”
Avokatit serb Çedomir Stojkoviq i është urdhëruar të vendoset në arrest shtëpiak me monitorim elektronik, kanë konfirmuar burime gjyqësore.
Siç deklaroi vetë ai, në shpjegimin e vendimit përmendej përdorimi i mediave sociale nga ana e tij si një nga arsyet për caktimin e masës së paraburgimit.
Stojkoviqi njihet në publik si një nga kritikët më të zëshëm të autoriteteve dhe, siç thekson vetë ai, të regjimit të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ishte së fundmi i ftuar në Televizionin Federal, ku foli për, siç deklaroi, provat që lidhen me lidhjen e Aleksandar Vuçiqit me të ashtuquajturin “safari snajperësh” në Sarajevë gjatë luftës.
Vendimi për ta vendosur atë në arrest shtëpiak ka shkaktuar reagime të shumta në publik dhe në mediat sociale, ku shumë po e lidhin rastin e Stojkoviqit me paraqitjet e tij publike dhe kritikat ndaj autoriteteve në Serbi.



