
Arrestim i Adem Demaçit për herën e tretë bëri jehonë jo vetëm në Kosovë por edhe në ish-Jugosllavi
Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (6)
Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e pestë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për arrestimin e veprimtarit Adem Demaçi për herën e tretë, lajmin për dënimin e tij për 15 vjet burgim dhe për Azem Vllasin dhe pushtetarët e tjerë komunistë që nuk i shfrytëzuan demonstratat e vitit 1981 për t’iu kundërvënë shovinizmit serbomadh. Gjithashtu në këtë vazhdim të intervistës, Abazi thotë se në kontekstin e mundësive reale, autonomia në vend të republikës për Kosovën i ngjante më tepër një manovre politike…
“Epoka e re”: Cili është këndvështrimi yt, pra, çfarë kishte ndodhur e që duhej të kihej parasysh për të qenë korrekt në shpjegimin e situatës së pranverës së vitit 1981?
Hajdin Abazi: Nuk e kam fjalën për diçka që nuk dihej, por për ato që kishin ndodhur ndaj popullit shqiptar. Le të kujtojmë disa fakte të njohura publikisht, që ishin përcjellë dhe përfshirë në kronika informative të mediave të asaj kohe, në Kosovë e gjetiu.
Në tetor të viti 1975, 15 muaj pas lirimit nga dënimi i dytë politik, qe arrestuar sërish, për të tretën herë, Adem Demaçi. Sikurse e ka pohuar ai vetë, kësaj here pa bërë asnjë veprim, thjesht ishte një inskenim, pasi që regjimit komunist i duhej një “kokë turku”. Madje, thuhet se po në atë vit, në vizitën e perandorit komunist Tito në Kosovë kishte kërkuar arrestime të lëvizjes atdhetare të rezistencës kombëtare dhe regjimi autonomist e bëri kurban Adem Demaçi. Ky arrestim bëri jehonë të bujshme jo vetëm në Kosovë por edhe ndër të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi. E kur në shkurt të vitit 1976 u bë gjykimi dhe vetëkuptohet edhe dënimi i 18 atdhetarëve të tjerë me burg politik – që ishin thuaja nga të gjitha viset e Kosovës, këtë e përjetoi populli si një tregues se dhuna ndaj shqiptarëve do të vazhdonte. Mbase pushteti komunist ka pritur që të mbillte frikë e panik ndër qytetarë, sidomos te shtresat e prekura nda padrejtësitë, por efekti ishte realisht i kundërt: shërbeu si një tregues se autonomia federative ishte vetëm mashtrim, kurse e vërteta e pushtetit komunist mbetej persekutimi i shqiptarëve edhe me miratimin e komunistëve të Kosovës.
Më kujtohet, atë pasdite kishin ardhur mysafirë nga farefisi i babait e i nënës me pretekst gjoja familjar, e në të vërtetë prisnin të dëgjonin kumtin e gjykimit të sotëm. Kishte ndonjë prej tyre që besonte se gjykata do ta lironte Demaçin, se krejt kjo ishte vetëm lojë, se “udhëheqja shqiptare” nuk do ta lejonte një dënim politik. Kur në mbrëmje, në lajmet qendrore të RTP (Radio Televizioni i Prishtinës) u kumtua se ai ishte dënuar me 15 vite burg, ra një heshtje mortore. Gjyshja ime, ndjesë pastë, qe e vetmja që theu heshtjen: “Ah, k’ta t’mallkum, kurrë nuk na e nalën zullumin!”.
Ky dënim i Adem Demaçit me të tjerët pati jehonë sidomos te rinia, dhe këtë e di mirë sepse vetë i përkisja asaj gjenerate asokohe. Të dënohej një shkrimtar, ishte diçka e pabesueshme, por e vërtetë, aq më tepër pa bërë asnjë veprim! Te ne, sidomos ata që kishim vetëdije kombëtare të identitetit shqiptar, kjo e shndërroi tërë propagandën dhe retorikën komuniste në një pikturë të shëmtuar. Më kujtohet se në dërrasën e zezë në klasë sekush kishte bërë një vizatim të një engjëlli me flatra e me aurorë shenjtërie, por që kishte një yll komunist në ballë, dhe në duart pas shpine mbante një drapër e një çekan (simbol i komunizmit) që kullonin gjak! Engjëlli i konvertuar në djall!
Dhe me javë e muaj të tërë në bisedat tona flisnim për veprën “Gjarpijt e gjakut”, me çka asokohe besonim se Demaçi kishte simbolizuar regjimin pushtues serbomadh që donte vetëm gjakun e shqiptarëve, duke shprehur figurativisht shtypjen, robërinë dhe padrejtësinë ndaj kombit tonë.
Tre vite më pas, në nëntor të viti 1979 do të bëheshin arrestime edhe më të mëdha, disa qindra të arrestuar, ku bëja pjesë edhe unë. Përveç organizatës së njohur atdhetare LNÇKVSHJ (Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi), kishte dhe organizata të tjera kryesisht të rinjsh; unë i përkisja një organizimi të mëvetësishme që e kishim pagëzuar “OPeRK”: Organizata Patriotike e Rinisë së Kosovës. Nëse me dënimet e vitit 1976 ishin prekur disa qindra familje, tash, me arrestimet e vitit 1979, ishin persekutuar mijëra familje shqiptare. Kësaj here do të arrestoheshin edhe veprimtare, pasi që arrestimi i femrave vetvetiu i bënte më të ndjeshme e më prekëse këto arrestime për çka edhe do të bënin jehonë edhe më të madhe në shtresat e gjera të popullit. (Madje, pas këtyre arrestimeve dhe në shenjë revolteje ndaj tyre, disa pjesëtar të OPERK-ut, kishin ndërmarrë me vetiniciativë një aksion, duke sulmuar e djegur garazhin e policisë në Ferizaj). Përveç neve që na dënuan, edhe familjarët tanë e pësonin, si për shembull babai im, të cilin e larguan nga puna për shkak se unë isha dënuar për “propagandë armiqësore”.
Dhe dhuna nuk kishte të ndalur. Përveç dënimeve ndaj nesh që ishim arrestuar në nëntor të vitit 1979, po në vitin 1980 ishin bërë arrestime, intervistime, maltretime, ishin burgosur edhe qindra veprimtarë të tjerë, kryesisht të rinj e të reja. Gradualisht, Kosova po shndërrohej në një burg të madh, ku qytetarët e saj arrestoheshin pa asnjë krim real as ndaj shtetit e as ndaj personave.
Duke arrestuar vit pas viti, thjesht vetëm pse kërkohej barazi reale kombëtare dhe liri reale për shqiptarët, ishte jo vetëm një persekutim me përmasa kolektive, po ishte edhe një tregues se asgjë në esencë nuk ishte ndryshuar në aspektin e trajtimit të shqiptarëve: ata vazhdonin të perceptoheshin si “mish i keq” në trupin jugosllav, thua ne u ishim imponuar dhe jo se na kishin aneksuar me pushtim ushtarak. E qartë, ata e donin atdheun tonë, por pa ne shqiptarët; dhe kujtesa ishte ende e freskët e persekutimit kolektiv në vitet pesëdhjeta përmes stisjes së aksionit të grumbullimit të armëve ndër shqiptarët dhe shpërnguljen e dhunshme për në Turqi – persekutim i cili po vazhdonte edhe tash përmes arrestimeve të të rinjve, atdhetarëve dhe veprimtarëve kombëtar, ani se ishin veprime krejt paqësore dhe aspak të dhunshme.
Ishte kjo dhunë shtetërore pikërisht nën regjimin komunist me urdhër nga lart që kishte ushqyer, grumbulluar dhe përhapur pakënaqësi e revolta, pa të cilat jo vetëm nuk mund të kuptohet e të shpjegohet kryengritja popullore e vitit 1981, po ndoshta edhe nuk do të ndodhte ajo fare. Ndërkohë që dhuna policore po përhapej në mënyrë malinje, pushtetarët komunistë të Kosovës ose heshtnin ose ishin krejt indiferentë e madje, për më tepër, edhe e kishin aprovuar dhe toleruar.
“Epoka e re”: Po përse Vllasi duket se nuk e ka parasysh këtë sfond?
Hajdin Abazi: Është e çuditshme.
Duket anakronike të mos e ketë kuptuar asokohe e as sot dhunën shtetërore të viteve 1975-1980 si gjenerator të revoltës së vitit 1981!
Ajo dhuna (në vitet 1975-1980 si dhe deri në mars 1989) ndaj shqiptarëve, ku i ka duart e përlyera edhe pushteti komunist shqiptar i Kosovës, është ai sfond i cili vitin 1981 e shndërroi në kryengritje popullore, e bëri kombin shqiptar të ngrihej më këmbë, të përballej me aparatin e dhunës shtetërore e deri te përleshjet fytafyt me Njësitë Speciale të Jugosllavisë, për të treguar se nuk do të heshtej më ndaj padrejtësive e persekutimeve, se po e ngrite zërin përmes reagimit qytetar, duke treguar se gjendja ishte e padurueshme. Kjo ishte e vetmja mundësi, që t’i tregonte opinionit dhe botës se ndaj shqiptarëve shteti po ushtronte dhunë mbi baza kombëtare.
Po qe se anashkalohen ose nuk merren parasysh arrestimet e mijëra shqiptarëve me motive politike gjatë viteve 1975-1980, atëherë njëmend mozaiku i revoltës kombëtare shqiptare mbetet enigmatik dhe duket edhe fazmagorik madje! Këtë pikturë të shtrembëruar e përçon edhe pas katër dekadave Azem Vllasi, njëri nga ish qeveritarët kryesor komunist të Kosovës. Me këtë qasje të ngushtë thjesht nga pozita e pushtetit e jo nga e tërë kombit, nuk mundet realisht ta kuptoj ai të vërtetën e asaj kohe, të shkakut fundamental se përse ndodhi revolta e madhe qytetare e vitit 1981. Sepse, thjesht, pa atë sfond, nuk ka shpjegim logjik as faktin e as historik, dhe duket sikur gjithçka paskan kurdisur sigurimet e huaja shtetërore (ruse, serbe, etj.). Madje, edhe ndodh keq-perceptimi ashtu sikurse pasqyron Vllasi e me sa duket ende i ka të ngulitura ato keq-perceptime, se gjoja pikërisht demonstrata e 16 marsit 1981 (si dhe ato pasueset në atë vit) dhe kërkesa e parashtruar gjithandej për Republikë ishin “problemi”.
Ai flet se si të tjerët i shfrytëzuan demonstratat e vitit 1981, por nuk tregon se përse edhe ata, pushtetarët komunistë të Kosovës nuk i shfrytëzuan ato për t’iu kundërvënë shovinizmit serbomadh dhe për t’u treguar edhe republikave të tjera rrezikun që do t’u sulej të gjithëve!?
Kësisoj, duke mos e theksuar (qëllimshëm ose jo) thelbin që u parapriu dhe që i mundësoi revoltat e vitit 1981, Vllasi bie në gabim historik dhe nuk kupton rolin e tyre real si në kontekstin federativ ashtu edhe, dhe sidomos, në atë kombëtar për shqiptarët e Kosovës.
“Epoka e re”: Ti po thua, pra, se shqiptarët kanë qenë vazhdimisht të diskriminuar, të shtypur e nën dhunën shtetërore në ish-Jugosllavi?
Hajdin Abazi: Po, gjithsesi; dhe këtë e tregon çdo dekadë që nga 1945 [e deri te lufta çlirimtare e popullit shqiptar të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në vitet 1997-1999]. Natyrisht, kishte intensitete të ndryshme, herë me ngritje e herë me rënie, por nuk ka asnjë periudhë që shqiptarët të mos kenë pësuar valë dhune shtetërore në Kosovë.
Ky ishte realiteti i vërtetë, ai që injorohej ose që “nuk shihej” apo “nuk njihej” nga pushtetarët komunistë shqiptarë të Kosovës, Porse, atë që nuk e shihnin ata, mbase për shkak se ishin të zhytur në verbërinë ideologjike dhe në luksin e përfitimeve dhe privilegjeve që i gëzonin, shtresat e gjera shqiptare e shihnin, por edhe e vuanin në përditshmëri; ndaj dhe përderisa komunistët u rreshtuan në kahun e gabuar, shtresat e gjera shqiptare ishin në kahun e drejtë të historisë.
Me sa duket për komunistët shqiptarë të Kosovës arrestimi i disa dhjetëra e qindra personave duhej bërë për shkaqe ideologjike (duke u arsyetuar se vinin urdhra nga lart), për të ruajtur frymën e “revolucionit” si luftë permanente ndaj elementeve “kundërrevolucionarë”, por për mijëra familjet shqiptare që u arrestoheshin, maltretoheshin e dënoheshin me burg bijtë, prindërit, vëllezërit ose motrat, dajallarët apo tezet, kushërinjtë apo shokët e shoqet e gjeneratës ishin përjetime të trishtueshme, ishin pikëllim, lëngatë dhe plagë që vazhdimisht shkaktonin dhembje dhe kujtime të hidhura, duke ju përkujtuar se ata ishin të huaj në këtë shtet dhe se trajtoheshin si armiq – vetëm pse ishin shqiptarë.
Po i rikujtojë vetëm katër etapa:
(1) Shovinistët serbë si edhe më parë edhe nën petkun komunist gjithnjë kishin stisur pretekste për të terrorizuar shqiptarët: fill pas përfundimit të Luftës Antifashiste e cila për Kosovën u shndërrua në ripushtim sllavokomunist, në emër të ndjekjes së “forcave kolaboracioniste e reaksionare” si ballistët e forcat vullnetare – u terrorizuan shqiptarët, madje edhe ata që nuk kishin kurrfarë lidhje me zhvillimet, pra pa qenë fare të involvuar në asnjërin krah të luftës; pastaj reformat agrare, “mbledhja e tepricave” etj. ishin ndërmarrje ku gjithçka bëhej për t’ua pamundësuar shqiptareve jetesën në atdheun e tyre.
(2) Në vitin 1953 nisin marrëveshjet me Turqinë për vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, të cilën qysh para Luftës së Dytë ishin shpërngulur mbi 300 mijë shqiptarë, me dhjetëra mijëra të tjerë ishin vrarë gjatë e në përfundim të Luftës Antifashiste, por nuk mjaftonin për ta zbrazur Kosovën dhe për ta serbizuar atë, ndaj duhej të intensifikohej kjo shpërngulje e orkestruar midis Jugosllavisë dhe Turqisë.
(3) Një kurdisje tjetër ishte i ashtuquajturi aksion i mbledhjes së armëve në dimrin e vitit 1955-1956, dhjetë vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për të cilin flet dhe A. Vllasi dhe tregon se edhe axhën e tij e kishin maltretuar. E vërtetë, mbledhja gjoja e armëve ishte vetëm farsë, dhe pretekst për të terrorizuar shqiptarët dhe për t’ua bërë të pamundur jetesën në atdheun e tyre. Dhuna e egër, maltretimet shtazarake, vrasjet pa nam e nishan ishin fytyra e vërtetë e pushtetit komunist, për çka kishin dijeni nga i pari i Partisë e instancat tjera relevante. Dhe sigurimi i shtetit në Kosovë e dinte se shqiptarët realisht nuk kishin armë, sa që shpesh ata, përmes spiunëve të tyre, ua shitnin armën atyre që i maltretonin – që ishte kusht për ta shpëtuar jetën.
(4) Qytetarët, ata që e pësonin e që ishin me mijëra dhe familjet e tyre të ngushta e farefisi e i kishin ende të freskëta plagët dhe kujtesën, arrestimet masive në vitin 1975, 1979-1980 edhe e përtërinë atë dhunë shtetërore por edhe ju sillnin ndërmend dhunën e sigurimit të shtetit, ndaj dhe reagoi me revoltë popullore në mars-prill 1981.
Kjo është historia, gjendja reale e shqiptarëve në ish Jugosllavi – dhe të mos kihet kjo parasysh nga Vllasi e të klasës komuniste është përpjekje për t’i bishtnuar së vërtetës, dhe për mos ta bërë shqyrtimin objektiv sipas gjendjes që ishte e njëmendtë, por për ta shikuar në mënyrë fragmentare dhe për ta shpërfytyruar shkakun e vërtetë.
Fytyra e regjimit komunist mund të stilizohej nëpër Kongrese partiake, por ajo shfaqej me tërë shëmtinë e saj sidomos te shqiptarët, në familje, gjatë arrestimeve e në maltretimet në hetuesi.
Përderisa pushtetarët komunistë shqiptarë të Kosovës ishin të kënaqur me gjendjen e arritur, realisht populli po ndjente në kurriz peshën e rëndë të padrejtësive, se të tjera ishin fjalët e tjetër ishte realiteti, ndryshe thuhej e ndryshe veprohej.
Në njërën anë avancimi i statusit të krahinës në autonomi ishte një përmirësim për aq sa ishte krahasuar me më parë, e në anën tjetër vazhdonin të gjendeshin pretekste për ushtrimin e dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve; madje në vitin 1975 kjo qe kërkuar nga vetë kreu i partisë – Titoja. Duhej të luftoheshin të gjithë ata që kërkonin më shumë se autonomi e që i cenonte strategjinë e Titos për t’i përdorë shqiptarët “mish për top”. Por vetë autonomia po tregohej e pamjaftueshme për t’i mbrojtur shqiptarët si popull e si komb, pasi që, ndonëse me ritëm e intensitet më të ulët, po vazhdonte dhuna shtetërore ndaj shqiptarëve.
“Epoka e re”: Asokohe trumbetohej me mburrje se zgjidhja e çështjes nacionale në Jugosllavi ishte model për të gjitha vendet. Kjo do t’i binte që ishte bërë maksimumi. A ishte vetëm një propagandë kjo, apo kishte diçka të vërtetë?
Hajdin Abazi: Zgjidhja e problemeve nacionale në Jugosllavi me decentralizimin e sanksionuar në Kushtetutën e vitit 1974 ishte predimensionuar, për qëllime propagandistike dhe për të fituar simpatinë e perëndimit.
Por e vërteta ishte më ndryshe.
Jo që nuk ishte bërë maksimumi për çështjen shqiptare, por as maksimumi për Kosovën nuk ishte bërë!
Le të kujtojmë se në kohën e decentralizimit (1966-1974) ishte po ajo parti (komuniste) dhe pakashumë po ato personalitete (serbe, kroate, sllovene) që ishin në themelimin e Federatës jugosllave (më 1943) kur shqiptarët nuk i trajtuan të barabartë me popujt e tjerë; pra ishin po ato personalitete, me përjashtim se kishte rënë Rankoviçi – kryekriminelit shovinist serbomadh dhe antishqiptarit të tërbuar, që e ndoqën pakashumë të njëjtën linjë padrejtësie ndaj shqiptarëve edhe pas demonstratave të vitit 1968 dhe reformave decentralizuese që u sanksionuan në Kushtetutën e vitit 1974 – duke mos i bërë faktikisht të barabartë meqë nuk ia njohën Kosovës statusin e Republikës.
Në kontekstin e mundësive reale, autonomia në vend të republikës për Kosovën i ngjante më tepër një manovre politike që ofronte ashtu sikurse ofroi zgjidhje gjysmake, sa për të qetësuar situatën, por që realisht e linte problemin të pazgjidhur.
Ç’është e vërteta, nga viti 1966 e deri në vitin 1974, në shtresat e gjera të popullit kishte edhe shpresa e edhe një farë besimi se ishte kuptuar që ndaj shqiptarëve ishin bërë padrejtësi dhe se ato do të korrektoheshin, qoftë edhe pjesërisht, duke e avancuar Kosovën në Republikë; sepse, pas Plenumit të IV të Brioneve të vitit 1966, u bë një lloj zbutjeje e dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve; madje, edhe Adem Demaçi që ishte shndërruar në simbol të persekutimit të popullit tonë – u lirua nga burgu në vitin 1974, atë vit pra kur u zyrtarizua kushtetuta ku Kosovës (dhe Vojvodinës) iu njoh statusi i Krahinës Autonome.
Ndryshimet e bëra në vitet 1966-1974 ishin produkt i shumë rrethanave, që mund të përmblidhen në atë se Titoja donte të përmirësonte imazhin e vet para botës perëndimore, te përforconte figurën e tij si lider i të Painkuadruarve, të tregohej më liberal krahasuar me regjimet staliniste, për të përfituar kredi financiare, investime e përkrahje të ndryshme nga vendet demokratike.
Sigurisht që bota perëndimore e mirëpriti këtë reformë dhe sidomos hapjen ndaj perëndimet, por imazhi si “model” ishte më tepër propagandë se realitet, ndër të tjera, sepse pikërisht aty ku ishte thembra e Akilit e padrejtësisë nacionale në Jugosllavi – problemi kombëtar i shqiptarëve respektivisht i Kosovës, nuk kishte marrë një zgjidhje të duhur, por thjesht gjysmake, sa për të krijuar imazhin se u tejkalua diskriminimi! Komunistët jugosllavë, përfshirë edhe komunistët shqiptarë të Kosovës, e paraqisnin statusin e autonomisë si model të zgjidhjes së çështjes kombëtare në një shtet multietnik – ku, sipas tyre, zgjidhja ishte reale por vetëm terminologjia, ose emërtimi dallonte formalisht, duke aluduar se autonomia ishte si Republikë vetëm se nuk e kishte emrin Republikë (i përtypnin fjalët mashtruese të Titos: “Mos u kapni pas emrit!”). Këtë e kishte mohuar asokohe lëvizja atdhetare, si aspak të vërtetë. Dhe ashtu ishte, dhe koha do t’i japë të drejtë jo pushtetarëve komunistë po lëvizjes atdhetare të rezistencës kombëtare.
Se statusi i autonomisë nuk ishte zgjidhja as optimale e as maksimale u bë e qartë (nga viti 1981 e deri në vitin 1989) edhe për komunistët e Kosovës, por realisht ajo ishte e qartë që nga fillimi – dhe këtë kanë mundur ta shquajnë edhe pushtetarët komunistë të Kosovës (po të kishin kurajën të dilnin përtej verbërisë ideologjike) ashtu sikurse e kishte bërë lëvizja atdhetare. Se zgjidhja mund të ishte Republika për Kosovën po të ishte njëmend vullnet për zgjidhje të qëndrueshme, ka një shembull që njëmend ishte model, model i vërtetë i zgjidhjes së problemeve brenda shtetit dhe pa i cenua kufijtë e jashtëm.
Në Evropë, Zvicra merret si model i duhur dhe i zgjidhjes reale të problemeve të brendshme nacionale, madje vetë Lenini e konsideronte të tillë, si zgjidhjen stabilizues dhe korrekte të raporteve të brendshme midis popujve, ku barazia ishte maksimalisht reale. Dhe me të drejtë: ishte dhe mbeti shembull i zgjidhjeve më të mira të mundshme e në favor të popujve. (Vijon)