
Arrestimet nga Serbia, reagon KMDLNj: Po bëhen në bazë të reciprocitetit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas arrestimit të dy shtetasve kosovarë nga Serbia për kinse krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Duke përkujtuar se deri më tani nuk dihet identiteti i të arrestuarve, KMDLNj-ja ka theksuar se është bërë thuajse rregull që pas arrestimeve të serbëve në Kosovë, autoritetet serbe të arrestojnë shtetasit nga Kosova.
“Kjo bëhet sidomos në kohën e pushimeve verore kur shumë bashkatdhetarë udhëtojnë nëpër Serbi , si rrugë më e shkurtër për Kosovë. Mungesa e bashkëpunimit dhe këmbimi i informatave midis Serbisë dhe Kosovës krijon hapësirë që arrestimet të bëhen në mënyrë arbitrare duke u keqpërdorur për qëllime propagandistike dhe përfitime politike”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj-ja ka kërkuar që të shmangen udhëtimet nëpër Serbi sidomos për ata që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e luftës së fundit.
“Tash, Serbia është në gjendje ta arrestojë çdo shqiptar që është në territorin e Serbisë edhe në rast se nuk ka asnjë lidhje me luftën e fundit. Institucionet e Kosovës përkatësisht Ministria për Punë të Jashtme të vetmin veprim që e bënë është të qajë dhe vajtojë para zyrave të EULEX-it dhe ambasadave të huaja”, është thënë në këtë reagim.
Po ashtu, KMDLNj-ja ka kërkuar që me ndërmjetësim ndërkombëtar të formohet një grup që do të merrej me këtë çështje deri në një përfundim të rastit, dhe politika të mos bëhet përcaktuese për përgjegjësinë juridike.
Beogradi zyrtar ka njoftuar sot (e enjte) se X. E. (1976) dhe B. E. (1973) u arrestuan në pikën kufitare Horgosh me të hyrë në Serbi dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.