Arrestimi i tre zyrtarëve të komunës, Rama: Do të ofrojmë bashkëpunim të plotë, askush mbi ligjin
Tre zyrtarë të komunës së Prishtinës janë shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Pas këtij lajmi ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se komuna do të jetë bashkëpunuese me organet e rendit.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, kryeqyteti, Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama në “Facebook”.



