
Arrestohen dy persona në Morinë, dyshohen se po tentonin ta trafikonin një 14-vjeçare në Kosovë
olicia e Shqipërisë ka arrestuar dy shtetas nga Berati në pikën kufitare në Morinë, nën dyshimin se po tentonin të trafikonin një vajzë 14-vjeçare drejt Kosovës. Të arrestuarit janë E.G., 22 vjeç, dhe A.K., 18 vjeç, të dy banues në qytetin e Beratit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 22-vjeçari E.G. është ndaluar në flagrancë pasi dyshohet se po përpiqej ta kalonte vajzën e mitur në territorin e Kosovës me qëllim trafikimi. Ai akuzohet për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
Ndërkohë, bashkëudhëtari i tij, A.K., është arrestuar me akuzën “Moskallëzim i krimit”.
“Tentoi të kalonte në kufi një shtetase të mitur, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë – arrestohet në flagrancë 22-vjeçari”, është thënë në njoftimin zyrtar të Policisë.
Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2025, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë ndaluan automjetin që drejtohej nga E.G. dhe në të cilin ndodheshin A.K. dhe e mitura 14-vjeçare. Kontrolli u krye në kuadër të analizës së riskut dhe punës për parandalimin e paligjshmërive në kufi.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se familjarët e vajzës kishin raportuar largimin e saj nga banesa në Durrës, po atë ditë.
“Më datë 28.09.2025, në DVP Durrës, kanë kallëzuar familjarët e 14-vjeçares, për largimin e saj nga banesa”, ka konfirmuar Policia.
Të arrestuarit janë dërguar për procedura të mëtejshme në prokurori, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.