Arrestohen dy zyrtarë për ‘marrja e ryshfetit’, kërkuan para për kalimin e testit të vozitjes

19 maj 2025 | 22:45

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda në bashkëpunim me Njësitin kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka ndaluar dy persona nën dyshimin për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Sipas njoftimit të prokurorisë, dy zyrtarët publikë janë ndaluar me vendim të prokurorit më 19 maj, pasi dyshohet se i kanë kërkuar dhe pranuar para nga një kandidate për testin praktik të vozitjes, në këmbim të kalimit të testit.

Ata po hetohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 dhe “Ushtrimi i ndikimit” sipas nenit 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të dy të dyshuarit, ndërsa brenda afateve ligjore pritet të ndërmerren veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale.

“Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, me datë 19.05.2025 ka ndaluar me vendim të prokurorit dy persona për shkak të veprave penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 dhe Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit ka theksuar përkushtimin në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, duke siguruar opinionin publik se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në veprime të paligjshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të…