
Arrestohen katër persona pas bastisjeve në agjencinë kadastrale dhe atë të arkivave
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka përfunduar bastisjen në Agjencinë e Arkivës Shtetërore dhe në atë Kadastrale nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Pas përfundimit të këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër persona. “Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës Shtetërore dhe institucionin Kadastral te Republikës së Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ju mbajë të informuar”, është thënë në përgjigjen e zyrtares nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Kaltrina Shala.