
Arrestohen katër persona për ‘falsifikim të parasë’ dhe ‘mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve’
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e mbështetur nga NJSO-ja dhe Krim Teknika e DPP-së, të enjten ka kryer kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personave të dyshuar: H.K (1988), S.K (1970), V.K (2001) dhe V.K (2000), nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i parasë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Këta të dyshuar që në janar të këtij viti, në bashkëveprim, kanë vënë në qarkullim shumën prej 10,000 dollarëve amerikanë në qytetin e Pejës dhe Prizrenit ku është konstatuar parat ishin të falsifikuara.
Me qëllim të hetimit dhe gjetjes së dëshmive shtesë janë aplikuar masa të fshehta të hetimit prej nga është arritur të sigurohen dëshmi relevante që do të përdoren në procedurë të mëtejme.
Gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë ‘AK-47’ një karikator, katërmbëdhjetë fishekë të cal. 7.62, në pronësi të të dyshuarit S.K. ndaj të cilit ngritët kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” e sanksionuar nga neni 366 i KPRK-së.
Nga të dyshuarit janë sekuestruar si provë materiale dy ‘Iphone’ 6S dhe një ‘Iphone’ xs max.
Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saja ligjore, në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të përfshirë në aktivitete kriminale.