
Arrestohen para ndeshjes së Championsit rreth 180 tifozë të Napolit në Eindhoven
Rreth 180 tifozë të ekipit italian Napoli janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në qendër të qytetit Eindhoven, në Holandë, para ndeshjes së Champions League kundër PSV Eindhoven, ku të kaltrit drejtohen nga trajneri Antonio Conte.
Sipas policisë lokale, nuk janë shënuar incidente apo përleshje fizike, por autoritetet ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Një zëdhënës i policisë deklaroi se masa u mor për të shmangur trazirat e mundshme. Agjencia e lajmeve ANP njoftoi se nuk ka pasur përplasje mes tifozëve holandezë dhe atyre italianë.
Policia u kishte kërkuar tifozëve të largoheshin nga qendra e qytetit, por kërkesa nuk është respektuar, çka çoi në arrestimin e tyre për shkelje të rregullores komunale mbi grumbullimet publike.