
Arrestohen pesë kamerierë, dyshohet se shpërndanin para false
Njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prizren, ka realizuar një operacion mbi dyshimin se pesë persona me profesion kamerierë, janë të përfshirë në veprën penale “falsifikim i parasë”, gjegjësisht pesë të dyshuarit po shpërndajnë para të falsifikuara metalike prej dy eurosh.
Dje hetuesit kanë bërë kontrollin e katër personave të dyshuar si dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë së personit të pestë të dyshuar, si i dyshuari kryesor i rastit.
“Gjatë kontrolleve të realizuara ndaj personave të dyshuar T.P. (2000), V.Z. (2002), A.P (1999), L.E. (1994), B.B. (1998), janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se, të pesë personat kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i parasë’ nga neni 296 i KPRK-së”, ka njoftuar Policia e Kosovës .
Sipas policisë, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 195 euro para metalike nga dy 2 euro të dyshuara si të falsifikuara dhe pesë telefona mobil.
“Bazuar në dëshmitë dhe të gjeturat, të njëjtit dyshohet se janë kryerës potencial të kësaj vepre, ku vetëm gjatë muajit tetor 2021, kanë shkëmbyer herën e parë 300 euro origjinal të fituara për 400 euro false, që i kanë shpërnda, herën e dytë 200 euro origjinal për 300 euro false, si dhe herën e tretë 400 euro origjinal për 550 euro false. Të pesë të dyshuarit në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit material, kanë shpërnda para të falsifikuara dhe paratë origjinale të fituara nga vepra penale ‘Falsifikim i parasë’, i kanë ndarë në pjesë të barabarta, në pesë pjesë”, ka njoftuar policia.
Pas intervistimit të personave të dyshuar, me vendim për ndalim nga prokurori kompetent, të pesë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.