
Arrestohen pesë të dyshuar dhe sekuestrohen lëndë që dyshohet të jenë narkotike
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), përkatësisht Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikeve (SQHN) në Prishtinë, pas një hetimi disa mujorë, ka finalizuar me sukses rastin e koduar “Driver”, i cili ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy personave të dyshuar për përfshirje ne veprimtari të kundërligjshme të shitblerjes së substancave narkotike.
Gjatë hetimit janë grumbulluar dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë përfshirjen e të dyshuarve në shitblerjen e lendeve narkotike në rajonin përkatës.
Policia ka realizuar bastisje në tri lokacione: një në fshatin Dumosh Podujevë, në Podujevë dhe një në Prishtinë. Gjatë bastisjes janë sekuestruar sasi të substancave narkotike, telefona mobil, para te gatshme, vetura dhe dëshmi tjera relevante për rastin. Dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, pas një pune operative, njësitë relevante policore kanë realizuar edhe një operacion ku kanë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në shitblerje të substancave narkotike.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.