
Arrestohet 46-vjeçari në Kaçanik: Sulmoi policët dhe kontrabandoi mallra me vlerë deri 30 mijë euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 14:00, ka arrestuar M.S-46 vjeç, i dyshuar për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Arrestimi u bë nga Policia Kufitare e Rajonit Lindje, një ditë pas incidentit në fshatin Korbliq të Kaçanikut, ku i dyshuari nuk iu bind urdhrit të policisë, goditi me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë dhe la të lënduar tre zyrtarë.
“I dyshuari, pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Automjeti i dyshuar është gjetur i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, i ngarkuar me mall të kontrabanduar, i cili është konfiskuar nga Dogana. Sasia e mallrave të sekuestruara përfshin:
270,000 copë cigare “Grand” (13,500 kuti)
1,600 kg fara kungulli të pjekura
460 kg fara luledielli të pjekura
100 kg fara braziliane
40 kg ananas të tharë
20 kg banane të thara
113.4 kg brusnica të thara
Sipas vlerësimeve, mallrat kapin vlerën prej rreth 23,794 € deri 29,877 €.
Një ditë më pas, më 3 shtator, Policia Kufitare ka arrestuar të dyshuarin M.S., 46 vjeç, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa hetimet për kontrabandë do të zhvillohen nga Dogana në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare.
Policia dhe Dogana kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe zyrtarëve.