
Arrestohet burri që pretendoi se kishte varrosur qindra gra në një faltore
Policia në shtetin Karnataka të Indisë ka arrestuar një burrë nën akuzën e dëshmisë së rreme, pasi ai pretendoi publikisht se kishte varrosur qindra trupa të grave dhe vajzave të vrara dhe përdhunuara në një vend të shenjtë.
Deklaratat e tij, të bëra në media në fillim të korrikut, ngritën zemërim dhe shqetësim publik, duke detyruar autoritetet të formojnë një komitet të posaçëm hetimor për të verifikuar pretendimet.
Burri, emri i të cilit nuk është bërë publik, tha se kishte punuar si pastrues në faltoren në qytetin Dharmasthala nga viti 1995 deri më 2014, dhe pretendoi se ishte detyruar të varroste trupat e viktimave në pjesë të ndryshme të faltores. Ai përmendi pesë incidente specifike, por deklaroi se kishte edhe shumë të tjera.
I veshur me të zeza, me kapuç dhe maskë që i mbulon fytyrën, burri u paraqit para autoriteteve me një kafkë, që sipas tij i përkiste njërës prej viktimave. Megjithatë, ekspertiza fillestare e autoriteteve nuk e lidhi kafkën me vendin ku ai pretendonte se ishin varrosur trupat.
Pavarësisht se një kërkim i thelluar në zonën përreth faltores zbuloi një kafkë tjetër dhe fragmente kockash, lidhja e tyre me deklaratat mbetet e paqartë dhe nën hetim.
Burri gjithashtu akuzoi administratën e faltores, pa përmendur individë konkretë. Faltorja është drejtuar prej vitesh nga familja e njohur Hegde, e cila i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe është shprehur se mirëpret një hetim të plotë dhe të paanshëm.
Sipas policisë, burri ishte zhdukur pas vitit 2014 dhe ka deklaruar se e ndiente peshën e ndërgjegjes që e detyroi të flasë tani, pas më shumë se një dekade heshtjeje.
Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë e manipulimeve, motivimeve personale apo politike pas deklaratave të bëra.