Arrestohet edhe një person lidhur me aksionin kundër degradimit të mjedisit

18 qershor 2025 | 14:33

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore DKOKR- DPP – Prishtinë, kanë arrestuar personin e nëntëmbëdhjetë lidhur me aksionin prokurorisë kundër degradimit të mjedisit.

Për të njëjtin, Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore ka siguruar prova lidhur me degradimin e mjedisit, mirëpo me rastin e ndërmarrjes së aksionit me datë 04.06.2025 i njëjti ka qenë i paidentifikuar për policinë.

Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një (1) kamion dhe një (1) eskavator.  I pandehuri i arrestuar, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit ‘Drini i Bardhë’, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe ka shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ nga neni 338 të KPRK-së”, ka njoftuar  Prokuroria Themelore në Prizren.

Sipas kësaj prokurorie nga veprimet e lartcekura është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i  rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356  të KPRK- së. I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin, Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë. Arrestimi i personit të sipërpërmendur paraqet vazhdimësi të aksionit të datës 04.06.2025, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit ishin arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që çojnë në ndotjen dhe degradimin e mjedisit. Ky arrestim i radhës dëshmon përkushtimin institucional për të identifikuar dhe ndjekur penalisht të gjithë të përfshirët në këtë dukuri të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin natyror. Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.

17 të arrestuar për shkatërrim të mjedisit përreth “Drinit të Bardhë”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Astrit Gashi Në teorinë politike, Kushtetuta është dokumenti themelor…