Arrestohet i dyshuari që iku para syve të Policisë në Gjakovë, zbulohet identiteti i tij

07 dhjetor 2023 | 00:19

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen.

Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, siç ka ndodhur para dy javësh në Gjakovë, ku një 29-vjeçar u arratis nga Qendra e Ndalimit.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Haxhi Shala, i cili qëndroi në arrati nga 23 nëntori deri sot, kur u kap nga Policia e Kosovës.

Njësitë policore kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen e tij dhe i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, por këtë herë me siguri më të lartë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme.

Ndryshe, rasti ka ndodhur më 23 nëntor, kur i dyshuari u dërgua në stacion dhe shfrytëzoi kohën derisa zyrtari policor që po merrej me rastin po kryente procedurat e tjera dhe u hodh nga dritarja.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka kryer veprën penale arratisje e personit të privuar nga liria. Njësitë policore janë vënë në kërkim të tij dhe pas një pune hetimore dhe operative sot i dyshuari është arrestuar. Me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje.” – thuhet në përgjigjen e Policisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United ka triumfuar në super derbin ndaj Chelsea. Djajtë…