Arrestohet lideri i partisë kryesore opozitare në Republikën Sërpska

09 qershor 2025 | 16:05

Millan Milliqeviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, u arrestua të hënën, konfirmuan nga kjo parti, që është më e madhja opozitare në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se oficerët e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, nën mbikëqyrjen e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit dhe disa departamenteve të tjera, kryen një aksion operativ të koduar “Blloku”.

Në njoftimin e MPB-së thuhet se personat me inicialet M.M., M.D. dhe M.J. – të gjithë nga qyteti Teslliq – u privuan nga liria, nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të ndikimit dhe pranimit të ryshfetit.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se oficerët e policisë kanë sekuestruar rreth 45.000 euro gjatë hetimeve në gjashtë muajt e fundit, me urdhër të gjykatës kompetente.

Këto para thuhet se buronin nga veprimet korruptive të personave të përmendur dhe se ato janë depozituar në depozitën e gjykatës.

Personat e privuar nga liria do t’i dorëzohen prokurorit kompetent të Prokurorisë së Republikës Sërpska brenda afatit ligjor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti.

Nga Partia Demokratike Serbe në Teslliq thanë se “kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për t’u rikthyer…