Një 26-vjeçar është vënë në pranga sot pasdite në Mitrovicë, pasi u kap duke poseduar një armë zjarri pa leje.
Policia e Kosovës njoftoi se arrestimi ndodhi rreth orës 16:00, në rrugën “Migjeni”, gjatë një patrullimi të zakonshëm të njësive të Stacionit Policor Mitrovicë Jugu. Zyrtarët policorë ndaluan një veturë për kontroll dhe gjatë bastisjes brenda saj, nën ulësen e pasagjerit, zbuluan një pistoletë për të cilën i dyshuari nuk posedonte dokumentacion të lejuar.
I arrestuari, me inicialet M.I., shtetas i Republikës së Kosovës, u shoqërua në stacion policor për procedurat e mëtejme. Nga vendi i ngjarjes u sekuestruan edhe një karikator dhe 28 fishekë, të cilët do të përdoren si dëshmi në procesin hetimor.
Rasti është cilësuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor.