
Arrestohet një i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup kriminal
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është ndaluar për 48 orë një person V.E., nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.
I dyshuari V.E. është arrestuar të shtunën në mbrëmje në pikën kufitare në Bërnjak, në kuadër të hetimeve të zgjeruara që lidhen me një rast të zbuluar në janar të këtij viti, kur autoritetet gjetën një laborator të specializuar për falsifikimin e dokumenteve.
Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 24 janar 2025, V.E., së bashku me persona të tjerë, kanë vepruar si grup i organizuar, duke prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara për rreth 50 shtete të botës.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim dhe koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedures Penale,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet për këtë rast vijojnë në përpjekje për zbardhjen e plotë të veprave dhe për kapjen e të gjithë personave të përfshirë.