Arrestohet një person për fajde në Prizren, katër të tjerë në kërkim – dëm rreth 700 mijë euro

16 mars 2026 | 15:24

Policia e Kosovës ka arrestuar një person gjatë një operacioni të zhvilluar në pesë lokacione në Prizren, ndaj disa personave të dyshuarve për fajde.

Operacioni është zhvilluar pas veprimeve  intensive hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 dhe “Detyrimi” nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë. Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700 000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”, ka njoftuar policia.

Katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e hënë) vëllezërit Thaçi në odën e tyre presin…