
Arrestohet një zyrtare policore, dyshohet se përdori bazën e të dhënave për regjistrimin e një serbi
Një zyrtare policore është arrestuar për keqpërdorim të pozitës dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e saj. Zyrtarja ishte e angazhuar në pikëkalimin kufitar Glloboçicë, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje – Kaçanik.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarja policore duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të policisë kufitare në mënyrë të paautorizuar, ka verifikuar dhe regjistruar në sistemin të dhënat e një qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë. Qytetari nuk ka qenë fare prezent në këtë pikë kalim kufitar kurse dyshimet janë se zyrtarja policore ka bërë këtë regjistrim që të vërtetonte nëse shtetasi i Republikës së Serbisë ishte apo jo në kërkim policor”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor.
Hetuesit e IPK-së po vazhdojnë ta hetojnë rastin për të ndriçuar të gjitha rrethanat.