
Arrihet marrëveshja për transferimin e Comanit te Al-Nassri
Kingsley Coman është gati për një hap të ri në karrierën e tij, duke u larguar nga Bayern Munich.
Pas disa ditësh bisedimesh intensive me klubin saudit Al-Nassr, është arritur marrëveshja për transferimin e sulmuesit francez në Arabinë Saudite.
Sipas burimeve zyrtare, shuma e transferimit do të jetë rreth 30 milionë euro, ndërsa Coman do të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2028, me një pagë të majme vjetore prej 22 milionë eurosh. Kjo do të bëjë që sulmuesi 27-vjeçar të bëhet një nga lojtarët më të paguar në botë.
Ky transferim do ta sjellë Comanin pranë yllit tjetër të futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili po ashtu aktivizohet në klubin Al-Nassr dhe është një prej figurave kryesore të skuadrës. Kjo lëvizje pritet të fuqizojë ambiciet e klubit saudit për të dominuar futbollin në rajon dhe për të bërë bujë në arenën ndërkombëtare.
Coman ka kaluar disa sezone të suksesshme me Bayern Munich, ku ka fituar tituj të rëndësishëm dhe ka dhënë kontribut të madh në sulmin e skuadrës.