Arsim Abazi rikthehet në pozitën e trajnerit të Ferizajt
Arsim Abazi do të jetë në krye të skuadrës së Ferizajt për herën e dytë në këtë sezon të Superligës së Kosovës në futboll. Ferizaj, të hënën ka zyrtarizuar Abazin në postin e trajnerit, në të cilin ka zëvendësuar Nevil Deden, të shkarkuar ditë më parë.
Në njoftimin e Ferizajt, ndër të tjera është thënë se klubi ka vendosur t’i besojë një figure që e njeh shumë mirë ambientin, filozofinë dhe shpirtin e skuadrës. “Ky rikthim nuk përfaqëson vetëm një ndryshim në pankinë, por edhe një mesazh të qartë për stabilitet dhe ambicie më të mëdha. Nën drejtimin e tij, pritet që FC Ferizaj të rikthejë identitetin dhe frymën garuese, duke synuar rezultate pozitive në arritjen e objektivave me më shumë siguri dhe motivim”, ka njoftuar Ferizaj.
Abazi e kishte nisur sezonin si trajner i Ferizajt për t’u shkarkuar në fund të muajit shtator të vitit të shkuar dhe për t’u zëvendësuar me Nevil Deden.
Abazi ishte i papunë prej javës së shkuar kur është shkarkuar nga Dinamo, ekip që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës.



