
Art Shahini, ylli i ri nga Vushtrria shpallet lojtari më i mirë dhe golashënuesi i Turneut Ndërkombëtar në Prishtinë
Art Shahini – Ylli i Ri nga Vushtrria që po ngjitet drejt majës së futbollit kosovar, shpallet lojtari më i mirë dhe golashënuesi i Turneut “Rilindja Kids Tournament 2025.
Në një turne tre-ditor të mbushur me emocione, konkurrencë dhe pasion për futbollin, i organizuar në nder të çlirimit të Prishtinës, morën pjesë 68 ekipe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, duke e kthyer këtë aktivitet sportiv në një ngjarje ndërkombëtare për moshat e reja.
Në mesin e talenteve të shumtë, një emër shkëlqeu mbi të gjithë: Art Shahini, futbollisti i ri nga Vushtrria, përfaqësues i SHF EL CLASICO, që la gjurmë të thella në këtë turne. Me 9 gola të shënuar, ai jo vetëm që udhëhoqi ekipin drejt suksesit, por edhe u shpërblye me çmimin më të lartë individual “Topi i Artë”, duke u shpallur lojtari më i mirë i turneut në kategorinë U11.
Ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhshme, talentit të lindur dhe përkushtimit të tij, i forcuar edhe më shumë pas një trajnimi profesional në Barcelonë, ku Art Shahini përjetoi standardet e larta të akademive elitare europiane të futbollit.
Ky është vetëm fillimi për një futbollist që po ngjitet me hapa të sigurt drejt majave të futbollit në vend dhe më gjerë.
Urime për SHF EL CLASICO për triumfin dhe për gjithë stafin, trajnerët e familjen që po mbështesin me përkushtim rrugëtimin e këtij talenti të ri.