Artan Grubi: Koha e folklorizmit ka kaluar, Kurtin e keqpërdorën
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një prononcim para gazetarëve të enjten, ka thënë se kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i komunës së Çairit, Visar Ganiu, promovuan “folklorizmin dhe patriotizimin” gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarit të Tetovës dhe atij të Çairit, për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kreut të ekzekutivit kosovar në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare në shtetin fqinj.
“Duhet të respektojmë flamurin, himnin dhe detyrimet ligjore që kemi. Ai teatër që po vihet në skenë është i panevojshëm. Këtë e kërkojnë në mungesë të projekteve dhe të një të ardhmeje. Vizita e Kurtit është e mirëseardhur. Ai vjen shpesh. Këto ishin ngjarje lokale të dy komunave”, ka thënë Grubi pas vizitës në komunën e Gostivarit.
“Koha e folklorizmit ka kaluar dhe qytetarët vlerësojnë gjërat, projektet, realizimin, jo folklorizmin dhe patriotizmin transparent që është promovuar nga ata që e ftuan Kurtin dhe tentuan ta keqpërdorin për axhendën e përditshme të partisë. Me sa duket nuk e kuptuan”, ka shtuar ai.
Kryeministri Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me shumicë etnike shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit dhe atij të Tetovës, ndërsa në Çair ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, kurse në Tetovë ka folur për tunelin Prizren – Tetovë.
Megjithatë, sipas zëvendësministrit dhe anëtarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), as emërtimi i rrugës me emrin e Demaçit e as aksi rrugor Prizren – Tetovë, nuk mund të realizohet pa bashkëpunim mes BDI-së dhe Qeverisë së Kosovës.