Artan Grubi lirohet nga paraburgimi, kalon në arrest shtëpiak
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, pas deklarimit të të dyshuarit A.G., i cili sonte u shoqërua në gjykatë, ka marrë vendim me të cilin pranoi propozimin e prokurorit publik dhe të mbrojtjes për caktimin e masës së arrestit shtëpiak me masa shtesë për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.
Konkretisht, pasi këtë mëngjes IPK Burgu “Shkup” – Shkup e njoftoi gjykatën se i dyshuari A.G. nga ora 09:20 është dërguar në institucion ku ka filluar vuajtjen e masës së paraburgimit, të caktuar me vendim të datës 17.12.2024, e cila hyn në fuqi nga momenti i gjetjes, përkatësisht privimit të tij nga liria, gjykata për këtë e njoftoi Prokurorinë Themelore Publike. Me kërkesë të saj, u lëshua urdhër për shoqërimin e të dyshuarit para prokurorit publik për t’u marrë në pyetje.
Gjatë ditës, mbrojtja e të dyshuarit dorëzoi në gjykatë propozim për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, i cili iu përcoll prokurorisë kompetente për t’u deklaruar.
Duke pasur parasysh se Prokuroria Publike e udhëheq hetimin dhe, sipas kompetencave ligjore, vlerëson se cila masë është e përshtatshme dhe e mjaftueshme për zhvillimin e papenguar të hetimit, ajo dorëzoi mendim pozitiv me shkrim në gjykatë, ndërsa në seancën e dëgjimit prokurori publik propozoi caktimin e një mase më të butë sigurimi nga ajo e caktuar më parë.
Në bazë të kësaj, gjykata e dëgjoi të dyshuarin në prani të avokatit të tij dhe mori vendim për zëvendësimin e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje 24-orëshe, e cila i besohet Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po ashtu, është caktuar edhe masë sigurie – konfiskimi i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Këshillin Penal.



