Arti i filigranit, trashëgimi që duhet vlerësuar dhe mbështetur
Shkruan: Ardian RAMADANI
Recension për librin “Arti i filigranit, trashëgimi që sfidon kohën, Lejla Lina Sali”
Artizanati ka ekzistuar gjithmonë mes njerëzve dhe përbën njërën prej pjesëve tejet të rëndësishme të njerëzimit. Në fillim të historisë, njeriu bëri gjithçka me duart e tij duke përshtatur dhe zhvilluar teknika shumë specifike. Edhe pse krijimet e realizuara nga njeriu ndoshta nuk kishin emërtimin e tillë, mu ashtu siç e kanë sot, por në thelb ishin punime të vlefshme artizanale.
Në qendër të të gjithë qytetërimeve dhe traditave në botë, janë artizanët apo zejtarët. Ata ndërtuan piramida, ndërtuan varka, krijuan qytete e qytetërime, shtete…. e shumë e shumë gjësende të tjera, duke strukturuar dhe organizuar ekonominë në çdo epokë, e duke i dhënë kuptim dhe formësim më të mirë botës. Së këndejmi, artizanët apo zejtarët janë kujdestarë të njohurive dhe të një historie që përfshin kohë dhe popuj.
I përcaktuar ndryshe edhe si arti i njohurive, kjo është një shprehje e bukur për të përshkruar se çfarë është mjeshtëria apo zanati. Gjithnjë e më i popullarizuar, ky sektor i tërheq ata që dëshirojnë të formësojnë botën me duart e tyre. Në një epokë ku prodhimi masiv dhe kompanitë e mëdha shpesh dominojnë zgjedhjet e konsumit, sipas konceptit të shoqërisë së Boudrillardit, artizanatet janë zgjidhje e përgjegjshme që na rilidh me vlerat tona etike të mëhershme, e së këndejmi na mundëson që të mos kemi shkëputje dhe thyerje me epokat e mëhershme.
Kësisoj, rishtazi, e më saktësisht diku më 27 nëntor 2025, isha moderator i ngjarjes së promovimit të 5 librave nga suedishtja në shqip dhe të një libri nga arabishtja në shqip, në kuadër të Ditëve të Letërsisë Suedeze, organizuar na Shtëpia Botuese SHKUPI, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore shqiptare MIGJENI në Suedi dhe Komunën e Çairit. Ky aktivitet, të cilin e cilësoj si shumë të rëndësishëm dhe i cili i jep frymë dijes dhe valorizimit të fjalës së shkruar, sepse librat dhe promovimi i tyre janë dëshmi e gjallërimit të një shoqërie, janë pasqyra e shpirtit, apo edhe një mjet lirie e lufte kundër robërisë, më rastisi të takoja një punëtore të vyer dhe të rryer të artit të dorës, përkatësisht të filigranit, që po i jep frymë dhe kuptim këtij zanati vërtetë mbresëlënës, por që fatkeqësisht, për shkak të rrebesheve të kohës, modernizimit e postmodernizimit, sikur po bën përpjekjet titanike për mbi(jetesë). Bëhet fjalë për zonjën Lejla Lina Sali, e cila me bontonin e saj dashamirës, si dhe me qetësinë e mbërthyer, po e mban gjallë këtë zanat, këtë art, duke i dhënë kuptim e duke rrezatuar, por njëkohësisht edhe duke i dhënë frymë arealit shqiptar në Shkup e më gjerë.
Filigrani është një teknikë e lashtë bizhuterish dhe argjendarie që përfshin ndërthurjen, përdredhjen dhe saldimin e telave shumë të imët të metaleve të çmuara (ari, argjendi) për të krijuar modele delikate, të hapura, si dantella me forma gjeometrike, lulesh ose figura abstrakte. Ky zanat i lashtë, me origjinë nga Mesopotamia, që po frymon në Shkup, falë një punëtoreje dhe duarve të zonjës Lejla, prodhon vepra të rafinuara në mënyrë të mrekullueshme, shpesh të frymëzuara nga natyra ose simbolet kulturore.
Kësisoj, punimet e saj të filigranit, ku mbizotërojnë figurat tona më të lavdishme të historisë, mandej harta e Shqipërisë dhe Shqiptarësisë (trojeve etnike shqiptare), që disa e quajnë Shqipëri e Madhe, e disa të Vogël, disa si Shqipëri Natyrale e disa si Shqipëri Reale, Kosovës (Dardanisë), e posaçërisht, shqiponja dykrerëshe, kanë rrëmbyer e po rrëmbejnë zemrat dhe mendjet, që ndonjëherë po dalldisen nga rrëmbimi i kiçit dhe shundit, e së këndejmi po dëshmojnë atë rilidhjen me traditat e mëhershme, duke i dhënë theks të veçantë mburrjes dhe krenarisë kombëtare.
Filigrani, që rrjedh nga latinishtja filum, fije dhe granum, kokërr, është, në argjendari, vepër e bërë nga fije të ndërthurura dhe të salduara prej metali të çmuar ose qelqi. Por ai përdoret edhe në industrinë e letrës.
Filigrani, si teknikë shumë e lashtë, është dokumentuar që në mijëvjeçarin e 4-të para erës së re. Më tutje, në ecejakun e tij, filigrani i parë – një kryq grek – u identifikua në letër të prodhuar në Itali (Fabriano) në vitin 1282, e vetëm një shekull më vonë, prodhuesit italianë të letrës u detyruan të përdornin filigranin për të identifikuar letrat cilësore.
Ka mendime që thonë se filigrani, ka lindur dhe është zhvilluar në provincën Mardin të Anadollit.
Në Francë, filigranët u bënë të detyrueshëm nga Lui dë Tinjonvil (Louis de Tignonville), administrator i Trojës (Troyes), në vitin 1398 dhe nga Sharli (Charles) i VI-të në vitin 1409. Filigrani, ka njohur shkëlqimin e tij dhe është zhvilluar shumë në Portugali (në simbole të tilla si dallëndyshja) dhe në Amerikën Latine (Peru, Meksikë).
Për një kohë të gjatë, baza e filigranëve ishte e kufizuar në një figurë të thjeshtuar të frymëzuar nga konteksti kulturor: motive fetare (simbole), motive natyrore (kafshë, bimë reale ose imagjinare), motive ushtarake (armë) dhe zanate të tjera (mjete). E më pas, në shekullin e 15-të, përpjekjet për falsifikim dhe kërkesat për standardizim, çuan në përfaqësime më të sofistikuara.
Në anën tjetër, llogaritet se filigrani ka mbërritur deri në ditët tona nga asirianët që kanë jetuar në Mesopotami. Në epokën e dominimit osman, filigrani preferohej shumë dhe pranohej si një degë arti që identifikohej me asirianët.
Karakteristikat kryesorë, që janë të rëndësishme për të punuar filigranin janë ato materiale, me ç ‘rast përdoren kryesisht fije shumë të holla ari ose argjendi, e ndonjëherë edhe xham. Teknika e punës është e tillë ku fijet përpunohen, përdridhen, mbështillen dhe kallajohen me saktësi të madhe, gjë që kërkon një punë të kujdesshme dhe të qetë.
Andaj, edhe puna e zonjës Lejla, është një gjë që meriton vëmendjen e duhur, vlerësimin dhe mirënjohjen, sepse mban gjallë frymën e këtij arti të mirëfilltë, e së këndejmi na rikujton rëndësinë e njohjes së kësaj teknike, si dhe na dëfton, se edhe më tej, ka njerëz që përkujdesen për një zanat tradicional, e që nuk lejojnë shkëputjen me traditat. Filigrani i ka rezistuar kohës dhe përdoret universalisht në të gjitha kulturat dhe rrethet shoqërore, e po ashtu edhe në kulturën shqiptare.
Kjo zeje, që llogaritet se ka nisur të përdoret fillimisht në Shkodër, si vendi i origjinës shqiptare, për të pasur një rol paraprijës në Prizren dhe Gjakovë, e më pas në qytete tjera të arealit shqiptar, në Shkup po rrezaton falë punës dhe zellit të zonjës Lejla.
Sot, ata që e konsiderojnë këtë art e këtë traditë, lirisht mund të quhen përfaqësues të turizmit kulturor, të cilët së bashku me talentin dhe magjinë e duarve të tyre, i shesin njerëzve, si dhe botës së qytetëruar edhe copëza nga shpirti ynë, nga ajo pasuri që ishte dhe do të mbetet vitale, përfaqësuese dhe identitare.
Ata/ato janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, pjesë e kujtesës sonë kulturore dhe trashëgimore, e kësisoj duhen përkrahur dhe mbështetur pa rezerva, sepse kujtesa, çfarëdo që të jetë, është në vete prani e padukshme.
Me shpresën se arti i filigranit, sikurse çdo art tjetër, do të vazhdojë edhe më tej të na ngjallë ndjenja uroj që edhe ky recension, e së këndejmi edhe ky libër për artin e filigranit të zonjës Lejla, i mikut tim Sokol Demakut, të shërbejë si një mirënjohje dhe vlerësim për këtë art, që përmban në vete edhe praninë, por edhe gjithëpraninë.
Prania në filigran është në diskrecion, e gjithëprania është në pedanteri. Na mbetet neve, që të jemi mjaftueshëm të denjë për t`i kundruar, vlerësuar dhe çmuar sa e si duhet këto dy dimensione në punimet e filigranit. Sepse edhe filigrani, sikurse çdo art tjetër, është një përpjekje për të krijuar, krahas botës reale, një botë më njerëzore. Andaj, le ta valorizojmë si duhet, që edhe ne të kontribuojmë në bërjen e botës sa më njerëzore.




