
As nesër nuk ka transport publik, paralajmërohet protestë për të premten
Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve ka marrë vendim që të premten të defilojnë me autobus në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e marrëveshjes me qeverinë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se të premten nga ora 10:00 do të defilojnë me autobusë nëpër rrugët e Prishtinës për të përfunduar të ndërtesa e qeverisë.
Ai ka folur edhe për masat tjera që mund të merren nga transportuesit.
“Në bazë të reflektim të qeverisë do të merren edhe vendimet tjera. Kemi unitet për të vazhduar grevën deri në realizimin përfundimtar të kërkesave tona. Dy ditët e para do të jenë vetëm grevë për shkak të pandemisë. Ndërkaq të premten autobusët nga të gjitha komunat e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë si lloj proteste. Koha e premtimeve ka kaluar. Tani duhet zbatim i marrëveshjes që kemi. Sot më së paku do të dëshironim të ishim në protestë”, ka thënë ai.
Pas kësaj greve, ka reaguar kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, duke thënë se janë të gatshëm të takohen për siç ka thënë ai për gjetjen e një zgjidhje të favorshme për këta operatorë.
“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Po ashtu, Zyra e Kryeministrit sqaron se, bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë së Kosovës.
“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (për shembull, pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50 për qind të qirasë, pagesa e 170 eurove). Pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”, thuhet në njoftimin e qeverisë.