Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për Srebrenicën

23 maj 2024 | 18:12

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.

Dokumenti nxiti reagime të furishme në Serbi dhe në rajonin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, ku udhëheqësit thanë se ai do ta etiketojë gjithë popullin serb si “mbështetës” të vrasjeve masive.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ambasadorja e Gjermanisë, Antje Leendertse, tha se “rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt – as kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate”.

“Rezoluta shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha Leendertse.

Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

Rezoluta për Srebrenicën nuk e përmend as Serbinë, as Republikën Sërpska.

Ndër të tjera, ajo bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”. /Rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrëfyer nga Jeton Zejna, shkruar nga Teuta Haxhimusa-Çerkini dhe redaktuar…