
Asambletë Komunale: PDK e para me mbi 200 ulëse, LDK e dyta dhe VV ngel e treta
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit prodhuan rezultate interesante kudo nëpër Kosovë, me disa komuna që do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor. Por, befasi pati edhe në garat për Asamble Komunale, shkruan Gazeta Metro.
Ashtu siç ndodhi edhe para katër vitesh, edhe sivjet partitë e mëdha janë afër njëra-tjetrës me numrin e asamblistëve nëpër pothuajse të gjitha komunat.
Petrit Selimi, ish-kryediplomat i Kosovës, ndau një grafikë me numrat e asamblistëve për secilën parti, ku vërehet se rezultate janë goxha të balancuara.
Nga këto statistika, PDK është e para me 208 asamblistë, LDK e dyta me 199 asamblistë, VV e treta me 188 dhe AAK e katërta me 98 ulëse.
Selimi vëren se VV-ja ka një ulje të mëtejme të votës popullore kudo nëpër Kosovë në garën për Asamble, sado që për kryetar të komunës është në garë në plot qytete.