Asamblistja e Nismës kërkon nga qeverisja komunale e Gjakovës të ndajë një vend për varrezat e fshatit Dujakë

04 dhjetor 2018 | 21:12

Asamblistja e Nismës Socialdemokrate në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Valentina Alijaj, ka kërkuar të martën nga qeverisja komunale që të ndajë një parcel për varreza për fshatin Dujakë.

Ajo në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal ka përmendur një rast të fundit për këtë çështje. 

“Po ua përmend vetëm rastin e fundit në fshatin Dujakë, ku një nga familjet nga moszgjidhja e këtij fakti nga ana e qeverisë lokale, ka qenë e obliguar që familjarin e tyre që ka ndërruar jetë ta varrosë në tokën përreth shtëpisë tyre, pra në tokë private (që është tokë pjellore për këtë familje)”, ka thënë asamblistja e Nismës Socialdemokrate, Valentina Alijaj.

Postimi i plotë saj në “Facebook”:

Fjala ime në mbledhjen e XI me radhë  në Kuvendin Komunal në Gjakovë:

Si asambliste e Kuvendit Komunal të Gjakovës më lejoni të përsërisë kërkesën e banorëve të fshatit Dujakë, për ndarjen një parcelë për varreza për faktin se parcela që shfrytëzohet tashmë nuk ka më vend, dhe fshati Dujakë nuk ka më hapësirë publike që do të mund ta shfrytëzohej për varreza.

Fshati Dujakë me ndryshimet e gjendjes demografike numëron rreth 2 000 banorë, ndërkaq hapësira që i është dhënë banorëve për varreza nuk i përputhet dendësisë së popullsisë. Prandaj, kjo është një kërkesë mjaftë serioze dhe duhet vepruar në mënyrë urgjente.

Po ua përmend vetëm rastin e fundit në fshatin Dujakë, ku një nga familjet nga moszgjidhja e këtij fakti nga ana e qeverisë lokale, ka qenë e obliguar që familjarin e tyre që ka ndërruar jetë ta varrosë në tokën përreth shtëpisë tyre, pra në tokë private (që është tokë pjellore për këtë familje). 

Meqenëse fshati nuk posedon një parcelë në pronësi të komunës, banorët propozojnë ndërrimin e një prone të ish KBI “ERENIKU” (e regjistruar në librat kadastral si parcela Nr. 458-0) që menaxhohet nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP), me një pronë komunale në ndonjë lokacion tjetër në territorin e komunës sonë.

Prandaj, i nderuar kryetar, kërkojmë nga ju që të filloni procedurat për ndërrimin e pronës komunale me AKP-në ose të ofroni një zgjidhje tjetër për shkak se gjetja e një parcele për varreza është një nevojë urgjente dhe në të njëjtën kohë e ndjeshme për banorët e fshatit Dujakë. 

Përndryshe si fatkeqësi, e vetmja zgjidhje për banorët e fshatit do të mbesin pjesë të vogla toke përreth shtëpive të tyre apo thënë më konkretisht oborret e tyre.

Shpresoj që kjo qeverisje lokale të ketë interesimin e tyre rreth kësaj çështje edhe nëpër regjionet të tjera të Komunës së Gjakovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e Manchester United nuk pranojnë që në stadiumin e…