Asetet e sektorit bankar arritën vlerën 3.88 miliardë euro

26 prill 2018 | 11:37

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar raportin për vlerësimin e tremujorit të katërt (TM4) të vitit 2017. Sipas këtij raporti, sektori bankar vazhdon të ketë rritje të përshpejtuar të aktiviteteve kredituese.

Po sipas këtij raporti, asetet e sektorit bankar në TM4 – 2017 u zgjeruan për 66.1 milionë euro, duke arritur vlerën prej 3.88 miliardë eurosh. “Sektori bankar vazhdon të karakterizohet me rritje të përshpejtuar të aktivitetit kreditues, performancë të mirë financiare dhe nivel të kënaqshëm të indikatorëve që matin shëndetin e sektorit.  Asetet e sektorit bankar në TM4 2017 u zgjeruan për 66.1 milionë euro, duke arritur vlerën prej 3.88 miliardë eurosh. Kontributin kryesor në zgjerimin e aseteve të sektorit bankar për të dytin vit me radhë vazhdon ta ketë aktiviteti kreditues”, është thënë në raportin e BQK-së. Sipas BQK-së, investimet në letrat me vlerë kishin kontributin e dytë më të rëndësishëm në rritjen e gjithsej aseteve të sektorit në TM4 – 2017. Ndërkaq, sa iu përket kredive të lëshuara nga sektori bankar, sipas këtij raporti, kreditë kishin shënuar rritje në periudhën paraprake.

Sektori bankar ka kredituar ekonominë vendore në vlerë rekorde prej 78.2 milionë eurosh në TM4 – 2017, dukshëm më e lartë se vlera prej 45.6 milionësh e shënuar në TM4 – 2016, duke arritur vlerën prej 2.49 miliardë eurosh.

Ndikim në rritjen e kredive aktive kishin kreditë e reja të lëshuara si për ndërmarrjet (të cilat u rritën për 65.9 milionë euro në baza vjetore në TM4 – 2017 dhe arritën vlerën prej 218.3 milionë eurosh) dhe ekonomitë familjare (të cilat u rritën për 46 milionë euro në TM4 – 2017 dhe arritën në 143.9 milionë euro)”, është thënë në raportin e BQK-së.

Në këtë raport të BQK-së është bërë me dije se zhvillimet në stokun e kredive aktive dhe atyre të reja u ndikuan nga oferta lehtësuese e aplikuar nga bankat përmes përmirësimit të kushteve të kreditimit për të dy kategoritë ekonomike. Sipas këtij raporti, kreditë ndaj ndërmarrjeve në TM4 – 2017 u rritën për 55.2 milionë euro dhe arritën vlerën prej 1.58 miliard eurosh. “Në kuadër të kredive ndaj ndërmarrjeve, sektori i tregtisë dhe ai i ndërtimtarisë shënuan rritjen më të lartë vjetore në TM4 – 2017. Kreditë për sektorin e tregtisë, të cilat dominojnë strukturën e gjithsejtë kredive të ndërmarrjeve, u karakterizuan me rritje më të ngadalshme vjetore prej 30 milionë eurosh në periudhën raportuese (rritje prej 50 milionë eurosh në TM4 2016) dhe shënuan vlerën prej 785.8 milionë eurosh”, thuhet në raportin e BQK-së.

Po sipas këtij raporti, kreditimi ndaj sektorit të ndërtimtarisë ka përshpejtuar rritje, ku në TM4 – 2017 kreditë e distinuara për këtë sektor u rritën për 11.2 milionë euro dhe arritën në 136.4 milionë euro. “Gjatë kësaj periudhe, kreditë ndaj sektorit të bujqësisë, prodhimtarisë si dhe shërbimeve të tjera shënuan rritje, por që ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kreditë ndaj ekonomive familjare në TM4 – 2017 u rritën për 22.9 milionë euro dhe arritën vlerën prej 897.6 milionë eurosh”, është thënë në raportin e BQK-së, duke u shtuar se kjo rritje, ndër të tjera, reflekton ecurinë në kreditë e reja të lëshuara nga bankat gjatë kësaj periudhe. “Më konkretisht, gjatë kësaj periudhe kreditë e reja të destinuara për konsum shënuan rritje, kurse kreditë e reja hipotekare shënuan rritje prej 24.5 milionë eurosh gjatë këtij tremujori që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, tregon për një rritje për 5.6 milionë euro. Vlera e kredive të lëshuara për qëllime konsumi në tremujorin e fundit të vitit 2017 arriti në 369.5 milionë euro, përderisa kreditë e reja hipotekare arritën vlerën prej 91.2 milionë eurosh”, është thënë në raportin e BQK-së.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) u ka…