“Asht zor m’e ba anmikun mik…”

11 gusht 2025 | 13:55
May be an image of 1 person and studying
Nga Jon Bislimi

Jurist / University of Lyon III

***
Kriza institucionale pas zgjedhjeve të 2025-s

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova është futur në një krizë të pashembullt institucionale.

Kuvendi i dalë nga ato zgjedhje ka mbetur i pakonstituuar për muaj të tërë, i paaftë të zgjedhë Kryetarin (Kryeparlamentarin) e vet dhe rrjedhimisht të formojë institucionet e reja qeverisëse.

Lëvizja Vetëvendosje (fituesja e zgjedhjeve me rreth 48 ulëse në Kuvend) doli partia e parë, por pa shumicën absolute prej 61 deputetësh që kërkohen për të formuar qeverinë.

Opozita, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), refuzoi çfarëdo bashkëpunimi për konstituimin e Kuvendit për aq kohë sa kandidatura e Vetëvendosjes për Kryetar Kuvendi mbetej znj. Albulena Haxhiu.

Kështu, që nga seanca konstituive e legjislaturës së re, Kuvendi u bllokua në pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Pasuan dhjetëra tentativa votimi me të njëjtën kandidate të Vetëvendosjes, të cilat dështuan radhazi në mungesë të shumicës votuese.

Rezultati ishte pothuajse absurd : deri 54 herë deputetët u ftuan të votonin, pa arritur të zgjedhin Kryetarin e ri të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli në kandidaturën e zonjës Haxhiu pavarësisht kundërshtimit unanim të opozitës, ndërsa kjo e fundit refuzoi çdo kompromis pas një fushate elektorale tejet të ashpër dhe personalizuese.

Ish-Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, dhe partia e tij Vetëvendosje duket se po paguajnë çmimin e raporteve të djegura me partitë opozitare: katër vjet qeverisje me qasje përjashtuese dhe gjuhë fyese ndaj opozitës (kujtojmë etiketimet publike si “hajvanët” ndaj rivalëve politikë), e kanë bërë pothuajse të pamundur çdo marrëveshje për bashkëqeverisje.

Në këtë klimë mosbesimi, pyetja shtrohet: kush mban përgjegjësi për bllokadën? Si mund të ofrohet zgjidhje kur asnjëra palë nuk lëshon pe dhe kur mungon vullneti minimal për kompromis?

Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese: transparencë dhe detyrim për kompromis

Pas kësaj maratone sterile votimesh të dështuara, në skenë hyri Gjykata Kushtetuese e Kosovës, arbitri i fundit kushtetues për zgjidhjen e ngërçeve institucionale.

Me dy aktgjykime të njëpasnjëshme, KO193/25 dhe KO196/25, të shpallura më 7 dhe 8 gusht 2025, Gjykata vendosi masa të jashtëzakonshme për të zhbllokuar situatën.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët urdhërohen që Kryetarin e ri të Kuvendit ta zgjedhin me votim të hapur brenda 30 ditëve.

Po ashtu, Gjykata kufizoi numrin e herëve që i njëjti kandidat mund të vihet në votim: jo më shumë se tri herë për të njëjtin emër. Me fjalë të tjera, Vetëvendosjes – si grupi më i madh parlamentar – i kërkohet të propozojë kandidatin e vet për Kryeparlamentar, të cilin deputetët duhet ta votojnë haptazi, dhe nëse ai kandidat dështon të marrë votat e mjaftueshme pas tri raunde votimi, atëherë subjekti duhet të ndryshojë kandidaturën.

Gjykata Kushtetuese konstatoi gjithashtu se Kuvendi dhe drejtuesi i seancës konstituive, z. Avni Dehari, kishin dështuar të respektonin një vendim të mëhershëm të Gjykatës (aktgjykimin KO124/25 të 26 qershorit 2025).

Për kujtesë, me atë aktgjykim të qershorit, Gjykata u kishte lënë afat deputetëve deri më 26 korrik për ta zgjidhur ngërçin, por kjo nuk ndodhi.

Përkundrazi, kryesuesi i seancës z. Dehari tentoi sërish një manovër procedurale – ngritjen e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë – duke anashkaluar frymën e vendimit të Gjykatës.

Kjo u pa si shkelje direkte ndaj vendimit të kushtetueses: Gjykata deklaroi se kryesuesi Dehari kishte vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit, duke cenuar parimin se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme.

Si pasojë, të gjitha seancat e Kuvendit të mbajtura në periudhën 27 qershor – 26 korrik 2025 u shpallën të pavlefshme. Me këtë veprim drastik, Gjykata praktikisht e ktheu procesin në pikën zero, duke i fshirë nga ekzistenca tentativat e një muaji që cenonin vendimin e saj.

Në aktgjykimin e 8 gushtit, Gjykata Kushtetuese artikuloi qartë qëllimin e saj: të sigurojë transparencë në votimin e Kryeparlamentarit, të frenojë manovrat procedurale bllokuese, dhe të detyrojë palët politike drejt një kompromisi.

Është roli klasik i një arbitri kushtetues : të garantojë që “loja” zhvillohet sipas rregullave themelore të Kushtetutës dhe të parimeve demokratike. Në këtë frymë, Gjykata urdhëroi gjithashtu të gjithë deputetët që të marrin pjesë dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke u bazuar në parimet kushtetuese që detyrojnë institucionet të funksionojnë dhe deputetët të kryejnë detyrat e tyre.

Me këtë, Gjykata synoi sigurisht të pamundësojë bojkotin apo mospjesëmarrjen si mjet bllokues, një fenomen i njohur në parlamentarizmin shqiptar në Kosovë.

Vendimi i Gjykatës parashikon një afat prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi, brenda të cilit Kuvendi duhet të përfundojë konstituimin e vet (zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve).

Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja, çfarë ndodh më pas ? Këtu qëndron një pikëpyetje e madhe.

Aktgjykimi nuk e specifikon qartë pasojën e mosrespektimit të afatit dhe as sanksionet për deputetët që nuk binden urdhrit për të marrë pjesë në votim. Disa e kanë interpretuar këtë si boshllëk në vendim, që kërkon më pas zgjidhje institucionale nga aktorët politikë (p.sh. mund të nënkuptohet shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhje të reja, nëse bllokada vazhdon edhe pas 30 ditëve).

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, z. Kadri Kryeziu, shprehet se “Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30 ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit”. Ai konsideron se mungesa e kësaj qartësie lë pezull gjithë procesin e ndërtimit të institucioneve dhe nuk ofron rrugëdalje të plotë nga bllokada.

Por duhet edhe të theksohet se, është e mundur që Gjykata qëllimisht ka zgjedhur të mos përmendë skenarin pas 30 ditëve: ndoshta duke llogaritur që vetë klasa politike do të detyrohet të gjejë zgjidhje brenda këtij kufiri, pa dashur të paraprijë me masa ekstreme. Kjo mbetet në sferën e hipotezës, por sidoqoftë tregon kompleksitetin e situatës: Kushtetuesja vendosi rregulla loje, por topi ngelet në fushën e politikanëve që t’i binden atyre ose të përballen me pasiguri kushtetuese.

A po “rishkruan” Kushtetutën Gjykata Kushtetuese?

Aktgjykimet e 7-8 gushtit 2025 kanë shkaktuar debat të gjallë në komunitetin juridik e politik lidhur me rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe kufijtë e ndërhyrjes së saj në punët e legjislativit. Shumë juristë pajtohen se vendimi ishte i domosdoshëm për të çliruar vendin nga ngërçi i paprecedent, por disa argumentojnë se Gjykata mund të ketë tejkaluar kompetencat e veta.

Një nga zërat kritikë është ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Kadri Kryeziu atë që cituam më sipër. Sipas tij, Gjykata në këtë rast praktikisht ka rishkruar Kushtetutën, duke futur rregulla që nuk gjenden shprehimisht në tekstin kushtetues. Ai vëren se asnjë dispozitë materiale e Kushtetutës nuk e kufizon numrin e herëve që mund të kandidohet i njëjti person për Kryetar Kuvendi, kufiri “tri herë” është pra një krijim i ri juridik, pa bazë të drejtpërdrejtë në nenin 67 të Kushtetutës që flet për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. “Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani, ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht… Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës”, shkruan Kryeziu.

Po ashtu, ai cilëson problematike pjesën e vendimit që imponon votim të hapur. Në parim, votimi i hapur për Kryeparlamentarin mund të jetë i dëshirueshëm për transparencë, por Kryeziu thekson se Kushtetuta dhe rregullat ekzistuese lejojnë edhe votimin e fshehtë, dhe se vetë Gjykata në aktgjykime të mëparshme (p.sh. në qershor 2025) kishte pranuar që “të dy format e votimit janë të mundshme”. Sipas tij, përcaktimi njëanshëm i formës së votimit (tanimë të hapur) nga Gjykata është një çështje më shumë politike sesa juridike, pasi Kushtetuta nuk i jep Gjykatës kompetencë eksplicite për të zgjedhur mes votimit të hapur apo të fshehtë.

Edhe më i diskutueshëm është urdhri i Gjykatës drejtuar deputetëve që “të jenë të pranishëm dhe të votojnë”. Një urdhër i tillë nuk ka precedent të qartë – në demokraci, pjesëmarrja ose bojkotimi i votimit nga një deputet konsiderohet pjesë e vullnetit të lirë politik. Neni 70 i Kushtetutës së Kosovës garanton mandatin e lirë të deputetit, dhe si i tillë, asnjë organ nuk mund ta detyrojë një deputet se si të veprojë në votim (përfshirë edhe mosvotimin). “Gjykata nuk mund t’i urdhërojë deputetët çfarë të bëjnë. Me këtë formulim, njësoj si në vitin 2014, Gjykata është në shkelje të pikës 1 të nenit 70 të Kushtetutës. Refuzimi për të votuar dhe refuzimi për të marrë pjesë në një proces votimi është manifestim i vullnetit të lirë politik të deputetit, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë…” citon Kadri Kryeziu. Sipas kësaj analize, Gjykata Kushtetuese është futur thellë në territorin e pushtetit legjislativ, duke diktuar rregulla dhe sjellje parlamentare në një mënyrë që zakonisht i takon Kuvendit vetë (p.sh. me ndryshim të Rregullores së Punës apo, në mungesë zgjidhjeje, me ndërhyrje ligjvënëse).

Megjithatë le të rikujtojmë se me një situatë të paprecedent, Gjykata nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të merrte masa kaq të guximshme. Kriza e krijuar ishte e veçantë dhe nuk mund të zgjidhej nga brenda Kuvendit për shkak të kokëfortësisë (politike?) të palëve.

Në këtë kuptim, Kushtetuesja e ka parë detyrë të saj garantimin e funksionimit të institucioneve, një parim kyç kushtetues, edhe duke kapërcyer zbrazëtirat ligjore.

Për më tepër, në qoftë se bëjmë pak analogji, Kushtetuta e Kosovës parashikon p.sh. që Presidenti i Republikës zgjidhet brenda tri raunde votimi, përndryshe Kuvendi shpërndahet. Edhe vende të tjera demokratike përcaktojnë limite tentativash për votime kyçe për të shmangur bllokadat e pafundme. Nga kjo pikëpamje, vendimi i Kushtetueses për Kryeparlamentarin synon të reflektojë frymën kushtetuese që institucionet duhet të formohen brenda një afati të arsyeshëm.

Mirëpo, deri në publikimin e plotë të aktgjykimit me arsyetim, mbetet të shihet se mbi çfarë baze Gjykata mbështeti këto zgjidhje kreative. Nëse këto baza do të jenë bindëse juridikisht apo do të konsiderohen si aktivizëm gjyqësor i tepruar, këtë do ta tregojë debati në vazhdim.

Sulmi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Kushtetuese

Menjëherë pas shpalljes së vendimit të 8 gushtit, reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet dhe palës së prekur drejtpërdrejt nga ky vendim, ishte i ashpër dhe i pazakontë për një parti politike, ndoshta jo për një “lëvizje studentor”.

Në vend që të sfidonte juridikisht aktgjykimin (p.sh. përmes ndonjë kërkese për interpretim apo rishqyrtim, megjithëqë mundësitë procedurale ishin të kufizuara), Vetëvendosje zgjodhi sulm personal dhe politik ndaj vetë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë menjëherë poste e komente nga zyrtarë dhe militantë të LVV-së, të cilat identifikonin me emër e mbiemër gjyqtarët që votuan aktgjykimin, duke i cilësuar si “vegla të opozitës” apo “produkt i PAN-it”.

Kjo qasje, e ngjashme me publikimin e “listave të zeza” apo “target-listave”, nuk kishte precedent në historinë institucionale të Kosovës.

Më parë, partitë mund të kishin kritikuar vendimet gjyqësore, por nuk kishin vënë në shënjestër personazhet e drejtësisë në mënyrë kaq direkte dhe të organizuar.

Ishte pikërisht Albin Kurti që vetëm dy ditë para vendimit ishte shprehur publikisht se “do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, pa lënë hapësirë për dyshim se vendimi, cilido qoftë, do pranohej nga partia e tij.

Mirëpo, sapo aktgjykimi u publikua dhe doli në disfavor të Vetëvendosjes, arsenal sulmesh u hodh në drejtim të Gjykatës.

Ministra dhe deputetë të LVV-së dolën në radhë të parë me reagime akuzuese: Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese “nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë atë çfarë nuk ua dha populli me votë”.

Deputetja Saranda Bogujevci shkoi edhe më tej, duke thënë se me këtë vendim “demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë”.

Ajo e portretizoi Gjykatën si organ të kapur politikisht: “Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari. 6 gjyqtarë, nga të cilët 5 nga koha e PAN-it dhe njëri i lidhur me Serbinë, shkelin vullnetin e popullit…”.

Deklarata të tilla, që në mënyrë të drejtpërdrejtë vënë në dyshim legjitimitetin e përbërjes së trupit gjykues, u përsëritën edhe nga zyrtarë të tjerë të LVV-së.

Deputeti Armend Muja aludoi madje për një komplot mes Gjykatës Kushtetuese dhe qarqeve kriminale, duke e lidhur vendimin e Gjykatës me një rast të profilit të lartë: “I doli arapllaku edhe Gjykatës Kushtetuese e cila iu bashkua prokurorit Blerim Isufaj, kumbarës së lirimit të Millan Radoiçiqit, në luftën kundër Qeverisë Kurti”, shkroi Muja, duke përmendur emrin e një individi të dyshimtë (Milan Radoiçiq) për të implikuar Gjykatën.

Një tjetër deputete, Shqipe Mehmeti-Selimi, deklaroi se në fakt “Gjykata Kushtetuese e ka shkelur Kushtetutën” me vendimin e saj, duke “shpikur” rregullin e tri tentativave: ajo pyeti retorikisht “Prej nga e shpiku Gjykata Kushtetuese këtë për tri tentime? Pse jo katër? Pse jo dy? … Ky është rishkrim i Kushtetutës”.

Retorika u ashpërsua deri në përdorimin e fjalorit vulgar: deputeti Nezir Kraki akuzoi Gjykatën se “e ka dhunu disa herë Kushtetutën… sot paska vendos ta dhunojë edhe veten” me këtë vendim.

Ndërkaq, Dejona Mihali, koordinatorja e komiteteve në Vetëvendosje, publikoi një reagim ku veç e veç “profilizoi” të gjithë gjyqtarët e Kushtetueses, duke theksuar se “5 nga 7 anëtarët janë ish-koalicioni PAN + Lista Serbe të zgjedhur në 2018, dhe se asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk do të priste diçka tjetër prej tyre”.

Me fjalë të tjera, LVV-ja u përpoq të përcjellë tek publiku idenë se Gjykata Kushtetuese është e përbërë nga njerëz të emëruar nga rivalët politikë (koalicioni PAN i vitit 2016–2017 dhe Lista Serbe), pra se vendimi s’ishte gjë tjetër veçse një skenar i “gardës së vjetër” për të marrë në tavolinë atë që nuk e fituan dot me zgjedhje.

Kjo qasje e Vetëvendosjes ngriti alarmin tek vëzhguesit institucionalë.

Sulmi ndaj vendimit gjyqësor është i kuptueshëm në një demokraci, partitë politike shpesh ankohen kur humbasin çështje juridike, por sulmi ndaj gjykatës si institucion dhe delegjitimimi personal i gjyqtarëve është diçka krejt tjetër.

Parimi juridik bazë është i qartë: legjitimiteti i një gjyqtari buron nga procedura e emërimit dhe mandati kushtetues, jo nga supozimet mbi motivet e tij personale apo nga kush e ka emëruar atë.

Në rastin konkret, ia vlen të kujtohet se dy gjyqtarët më të rinj të Gjykatës Kushtetuese janë emëruar gjatë legjislaturës së fundit (2021-2025) me votat e deputetëve të po këtij Kuvendi, përfshirë votat e Vetëvendosjes.

Deputetja opozitare Doarsa Kica-Xhelili e quajti reagimin e LVV-së hipokrizi, duke vënë në pah pikërisht këtë fakt: “Hipokritë! Dy nga gjyqtarët që e shpallën VV-në shkelëse të Kushtetutës, janë zgjedhur në këtë mandat, me votat e VV-së. Të tjerët? Kanë qenë në panele për plot raste që u kanë shkuar për shtat VV-së”.

Me fjalë të tjera, Vetëvendosja nuk kishte shprehur shqetësime kur kjo përbërje e Gjykatës merrte vendime në favor të saj (p.sh. në vitin 2020, kur Kushtetuesja rrëzoi qeverinë Hoti pas padisë së VV-së, apo në raste të tjera), ndërsa tani po i anatemon të njëjtët gjyqtarë sepse vendimi aktual nuk i konvenon.

Mbi të gjitha, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila vetë ishte protagoniste e ngërçit pasi kandidatura e saj për Kryeparlamentare u bë mollë sherri, ndërmori një hap të pazakontë dhe të rrezikshëm: ajo suli drejtëpërdrejt integritetin e njërit prej gjyqtarëve të Kushtetueses, përfaqësuesit të komunitetit serb, z. Radomir Llaban.

Në një konferencë shtypi, Haxhiu deklaroi publikisht se “dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”, duke pretenduar se ajo disponon informacione nga institucionet e sigurisë të Kosovës që e komprometojnë këtë gjyqtar.

Ajo përmendi të kaluarën e tij, një dënim me burg në Serbi, arratisjen dhe rehabilitimin e tij në Kosovë, dhe lidhjet e supozuara me figura si Milan Radoiçiq, për të ngritur dyshime se gjyqtari në fjalë paraqet “kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës”.

Kjo akuzë e rëndë nga vetë Ministrja e Drejtësisë tronditi opinionin: praktikisht, degë ekzekutive e pushtetit po sulmonte legjitimitetin e degës gjyqësore me pretendime të zëshme (ende të paprovuara publikisht). Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, po ashtu kishte shprehur pakënaqësi me rolin e gjyqtarit Llaban, deri aty sa kishte tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses (për sqarim rreth hapave pas moskonstituimit të Kuvendit) me arsyetimin se caktimi i Llabanit si gjyqtar raportues në atë rast ishte “shqetësues dhe i rrezikshëm”. Gjykata Kushtetuese, në reagimin e saj, theksoi se gjyqtari Llaban ishte emëruar në vitin 2018 sipas të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore, dhe se ai kishte qenë prej vitesh këshilltar ligjor në atë institucion para se të bëhej gjyqtar.

Me fjalë të tjera, Gjykata iu përgjigj sulmeve duke mbrojtur legjitimitetin procedurial të anëtarit të vet dhe duke nënvizuar se shkarkimi i një gjyqtari kushtetues nuk mund të bëhet me deklarata politike, por vetëm sipas Kushtetutës (me propozim të 2/3 të gjyqtarëve të Kushtetueses dhe dekretim nga Presidenti, në raste të krimeve të rënda apo shkeljeve të rënda të detyrës).

Sigurisht se duhet të kemi një qasje të veçantë me llaban dhe sidomos në qoftë se të gjitha këto akuza konfirmohen. Por problemi është se Llaban është problem vetëm kur vendimi është edhe ai problem.

Këto zhvillime kanë krijuar një situatë alarmante për shtetin e se drejtës. Drejtësia nuk “mbrohet” me vota apo me popullaritet elektoral, por me besim publik dhe respekt institucional.

Nëse vetë qeveritarët më të lartë nxisin mosbesim tek organi më i lartë kushtetues, atëherë shteti ligjor tronditet në themel.

Historia evropiane na ofron paralajmërime të qarta: në vende si Polonia dhe Hungaria, kapja politike e gjyqësorit filloi pikërisht me fushata publike delegjitimimi ndaj gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre, duke i portretizuar si “mbetje të regjimit të vjetër” apo “pengesa për vullnetin e popullit”.

Më pas pasuan ndryshime ligjore dhe emërime partiake, që çuan në dobësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përplasjen me parimet e Bashkimit Evropian. Është e paramendueshme se çfarë mund të ndodhë në Kosovë, një demokraci ende e re, kur diskursi i tillë delegjitimues vjen nga vetë njerëzit me pushtetin më të madh në vend. Erozioni i besimit tek institucionet gjyqësore nuk është një lojë e pafajshme retorike; ai mund të prodhojë pasoja afatgjata në funksionimin e republikës.

Precedentët: nga viti 2010 tek 2020, si kanë reaguar politikanët?

Për t’i vënë në kontekst këto zhvillime, vlen të shohim shkurtimisht historikun e përballjeve të mëparshme mes institucioneve politike dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që vendime të Kushtetueses ndryshojnë rrjedhën e politikës dhe hasin rezistencë nga palët e prekura, megjithatë, intensiteti dhe forma e reagimeve kanë evoluar në mënyrë shqetësuese.

– 2011, rasti Pacolli: Një precedent i hershëm ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Më 22 shkurt 2011, z. Behgjet Pacolli u zgjodh President nga Kuvendi, por opozita (LDK dhe AAK në atë kohë) e kontestoi procedurën, me pretendimin se zgjedhja u bë pa kuorum dhe pa kandidat alternativ. Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin KO29/11, konstatoi se procedura e ndjekur ishte antikushtetuese, duke prishur kështu zgjedhjen e Pacollit. Pasojat ishin të mëdha: Pacolli u detyrua të jepte dorëheqjen pas vetëm një muaji si President, dhe vendi hyri në një tjetër dhe vendi hyri në një tjetër cikël zgjedhor për shefin e shtetit. Edhe atëherë pati pakënaqësi dhe akuza politike : përfaqësues të koalicionit qeverisës (PDK dhe vetë Pacolli me partinë e tij) e quajtën vendimin “kontrovers” dhe insinuan se Gjykata po favorizonte mashtrimet e opozitës. Behgjet Pacolli deklaroi në media se Kushtetuesja po “legjitimon mashtrimet e PDK-së dhe LDK-së” në marrëveshjen e tyre për presidentin e ri. Por, pavarësisht fjalëve të ashpra, reagimi mbeti në kuadrin politik : thjesht, nuk pati fushata personale kundër gjyqtarëve individualë. Askush nuk publikoi emrat e gjyqtarëve për t’i quajtur “vegla” apo “tradhtarë”; respekti formal për institucionin e Gjykatës u ruajt, edhe kur vendimi i saj nuk u pëlqye.

– 2014, kriza pas zgjedhjeve parlamentare: Një situatë e ngjashme me të tanishmen ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur PDK doli e para por humbi shumicën. Atëbotë opozita (LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje) formuan një “Bllok” paszgjedhor që tentoi të merrte drejtimin e Kuvendit dhe Qeverisë, duke lënë PDK-në jashtë. Kujtojmë se në korrik 2014 Kuvendi i ri tentoi të zgjidhte Kryetarin nga radhët e opozitës së bashkuar (z. Isa Mustafa i LDK-së). PDK e çoi çështjen në Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj (KO119/14) vendosi se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit i takon ekskluzivisht partisë apo koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje. Po ashtu, vendimi i Kushtetueses interpretoi se vetëm pasi të ketë dështuar kandidati i partisë së parë, mund t’i kalojë rradha grupeve të tjera. Ky interpretim praktikisht i dha avantazh PDK-së, e cila bllokoi iniciativën e opozitës për krijimin e institucioneve pa të. Kriza politike zgjati me muaj, derisa në fund PDK dhe LDK bënë një marrëveshje për koalicion qeveritar (duke lënë jashtë Vetëvendosjen e AAK). Reagimet nga opozita e atëhershme qenë të ashpra: Vetëvendosje (ende si forcë opozitare parlamentare) e quajti vendimin e Gjykatës të motivuar politikisht, duke akuzuar se gjykatësit iu nënshtruan presionit për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet. Madje, në përvjetorët e atij aktgjykimi, Vetëvendosje e përkujtonte si “aktgjykim të padrejtë” dhe si shembull të kapjes së drejtësisë nga partia në pushtet. Sidoqoftë, kritikat publike në 2014 u fokusuan tek vendimi dhe implikimet e tij, pa u shndërruar në sulm ad hominem ndaj gjyqtarëve. Albin Kurti dhe eksponentët e tjerë të VV-së folën për “Gjykatë të kapur nga PDK” si koncept, por nuk publikuan fotografitë a biografitë e gjyqtarëve për t’i stigmatizuar personalisht.

– 2020, rrëzimi i Qeverisë Kurti I: Në mars 2020, Qeveria Kurti I u rrëzua me votë mosbesimi. Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi vendosi t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re LDK-së (e cila propozoi Avdullah Hotin si Kryeministër), pa shpallur zgjedhje të reja. Vetëvendosje e kontestoi këtë veprim në Kushtetuese, duke kërkuar që si parti fituese e zgjedhjeve 2019 të kishte e drejta e vetme të propozojë mandatarin, ose përndryshe vendi të shkonte në zgjedhje. Gjykata Kushtetuese, në qershor 2020, vendosi kundër VV-së: ajo interpretoi nenin 95 të Kushtetutës duke i dhënë të drejtë Presidentit të mandatojë një kandidat tjetër për Kryeministër, pasi i pari kishte humbur shumicën në Kuvend. Kështu, u krijua Qeveria Hoti pa pjesëmarrjen e Vetëvendosjes. Ç’ndodhi atëherë? Vetëvendosje e kritikoi aktgjykimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar: ashtu Albulena Haxhiu deklaronte se “Gjykata Kushtetuese tejkaloi kompetencat dhe krijoi precedent të rrezikshëm”, por sërish reagimi mbeti kryesisht në suazën e debateve institucionale.

Vlen të theksohet se aktgjykimi i 2020-ës çoi në zgjedhje të reja në fillim të 2021 (pasi një votë e kontestuar e Qeverisë Hoti u shpall e pavlefshme nga vetë Kushtetuesja në dhjetor 2020).

Vetëvendosje në atë kohë, ndoshta duke qenë se priste të kapitalizonte politikisht situatën në zgjedhje, nuk zhvilloi fushata linçimi ndaj gjyqtarëve individualë. Për shembull, nuk pamë atëkohë Vetëvendosjen t’i referohej përbërjes së Gjykatës (edhe pse shumica e gjyqtarëve ishin emëruar gjatë qeverisjes PAN) me epitete apo akuza personale. Në heshtje, VV-ja pranoi lojën institucionale: hyri në zgjedhje (të cilat i fitoi bindshëm në shkurt 2021) dhe me votën popullore korrigjoi padrejtësinë e perceptuar.

Pra, dallimi është i qartë krahasuar me 2025: atëherë mospajtimi u shpreh me instrumente demokratike (kritikë dhe garë elektorale), ndërsa tani po shprehet me presion publik dhe diskurs delegjitimues ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ky vështrim kronologjik ishte vetëm për nxjerr në pah një rrëshqitje të rrezikshme: nga pakënaqësia ndaj vendimeve, dikur e artikuluar brenda kuadrit të debatit normal politik, drejt delegjitimimit të vendimmarrësve (gjyqtarëve) si persona dhe i vetë institucionit të Gjykatës Kushtetuese, në ditët e sotme.

Retorika e vitit 2011 – 2014 ishte e ashpër, por respektonte një vijë të kuqe : atë të mosdiskreditimit të organeve të pavarura kushtetuese. Sot, ajo vijë e kuqe duket se është fshirë. Ky ndryshim vjen edhe si pasojë e amplifikimit nga rrjetet sociale (ose siç e quajnë në perëndim “tiktokizimit” të jetës politike) dhe e një aparati partiak të centralizuar që e shtyn mesazhin në çdo cep të hapësirës mediatike. Në vitet e fundit, Vetëvendosje ka ndërtuar një makineri propagandistike efektive online, e cila mobilizohet menjëherë kundër atyre që i konsideron kundërshtarë : qoftë politikanë, media apo gjykata. Presioni publik mbi gjyqtarë sot është shumë më i drejtpërdrejtë dhe personal sesa një dekadë më parë, dhe kjo, siç u argumentua më lart, përbën një rrezik të madh për pavarësinë e gjyqësorit dhe për vetë demokracinë.

Një test vendimtar për demokracinë parlamentare

Në analizë të fundit, e gjithë kjo përballje e ashpër mes Qeverisë (Vetëvendosjes) dhe Gjykatës Kushtetuese është më shumë sesa thjesht luftë për një post Kryeparlamentari. Ky është një moment kritik prove për kulturën demokratike dhe shtetin e së drejtës në Kosovë.

Pyetja kryesore nuk është se cila palë do të dalë “fituese” në këtë ngërç procedural : nëse Vetëvendosje do arrijë apo jo ta vendosë njeriun e vet në krye të Kuvendit, por a do të ruhet besimi tek arbitri kushtetues dhe institucionet gjyqësore.

Në një demokraci, humbja e një beteje të përkohshme procedurale është e rikuperueshme; partitë humbasin e fitojnë pozicione gjithë kohës dhe jeta politike ecën përpara. Por humbja e besimit tek gjyqësori është diçka shumë më e rrezikshme dhe vështirë e rikuperueshme.

Me keqardhje duhet pranuar se, që prej ardhjes në pushtet në vitin 2021, qasja e Vetëvendosjes ndaj sistemit të drejtësisë ka qenë shpesh konfrontuese dhe denigruese. Qeveria Kurti, qoftë përmes deklaratave të vetë Kryeministrit qoftë nëpërmjet veprimeve të Ministres së Drejtësisë Haxhiu, ka kultivuar një narrativë se gjyqësori dhe prokuroria janë të kapura, të korruptuara apo pengesë për “vullnetin e popullit”. Kjo qasje populiste ndaj drejtësisë, ku çdo vendim i papëlqyer etiketohet si i padrejtë, e ku zgjidhja propagandohet të jetë “vetting”-u magjik pas të cilit do vendosen “gjyqtarët tanë të pastër”, ka gërryer besimin e publikut në paanshmërinë e sistemit gjyqësor.

Sondazhe të ndryshme kanë treguar se besimi i qytetarëve në drejtësi në Kosovë ka mbetur i ulët prej vitesh, dhe përplasjet e tanishme vetëm sa e thellojnë këtë hendek. Është ironike se Vetëvendosje, një lëvizje që lindi me kauzën e luftës kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, rrezikon tani të perceptohet vetë si kërcënim për pavarësinë e institucioneve, nëse nuk frenon sulmet (shpifjet?) ndaj tyre.

Duke parë përpara, 30 ditët e afatit të Kushtetueses po ecin shpejt. Skenari ideal do të ishte që klasa politike ta pranojë realitetin e ri procedural: Vetëvendosje të kuptojë se duhet një kandidat konsensual ose një marrëveshje mirëkuptimi me opozitën për Kryeparlamentarin, ndërsa opozita të tregojë përgjegjësi shtetërore e të mos e zgjasë bllokadën pafundësisht.

Nëse vendimi i Gjykatës zbatohet me sukses dhe Kuvendi më në fund konstituohet, atëherë kriza institucionale do të marrë fund, të paktën përkohësisht, dhe do t’i kthehemi normalitetit politik (me qeveri shumice ose ndoshta me zgjedhje të reja, në varësi të marrëveshjeve politike që mund të pasojnë).

Por nëse palët dështojnë të gjejnë zgjidhje brenda afatit, vendi mund të hyjë në ujëra të panjohura kushtetuese. Presidentja do të gjendet nën presion për të vepruar (ndoshta për “shpërndarjen” e një Kuvendi që nuk ekziston de jure dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja), ndërsa palët do fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin.

Në atë skenar, frika është se Vetëvendosje do ta intensifikonte akoma më shumë narrativën e saj kundër Kushtetueses, duke e paraqitur veten si viktimë e establishment-it të vjetër dhe drejtësisë “së kapur” si për shumë tema tjera (buxheti etj.)

Kjo do të thellonte ndarjet shoqërore dhe politike, si dhe përplasjen me partnerët ndërkombëtarë që kërkojnë stabilitet institucional.

Në këtë moment delikat, një thënie e urtë popullore vjen ndër mend: “Asht zor m’e ba anmikun mik” : është zor ta bësh armikun mik.

Pa dyshim, më lehtë është të kthesh mikun në armik. Vetëvendosje dhe opozita kanë kohë që i shohin njëri-tjetrin si armiq politikë, jo si rivalë lojalë me të cilët mund të bashkëpunosh. Për Vetëvendosjen, duket thuajse e pamundur të bëjë “mik” ndonjë nga partitë opozitare për një koalicion, pas gjithë përplasjeve dhe fyerjeve të viteve të fundit. Tanimë mund t’i pyesim me të drejtë : “A bëhet koalicioni me hajvana?”

Por ndoshta po aq e vështirë është që Vetëvendosje të pajtohet me faktin se në demokraci parlamentare nuk mund të qeverisë e vetme kundër të gjithëve, e as të ndryshojë rregullat e lojës sa herë që i pengojnë interesat partiake. Çfarëdo zgjidhje të zgjedhin politikanët tanë në ditët dhe javët në vijim, një gjë është e sigurt: kur institucionet e një Republike përplasen e dëmtohen, humbim të gjithë ne. Dhe sot siç duket, i kem të brishta.

Humb njëra palë sot, tjetra nesër : këto janë cikle normale pushteti. Por nëse humbet besimi tek Kushtetuesja dhe gjykatat, tek vetë institucionet më të larta shtetërore, dëmtohet vetë themeli i republikës së kemi pas mundë ta krijojmë.

Prandaj, është koha për t’u ulur tanë dhe për reflektim. Vendimet e gjykatave mund të kontestohen me mjete ligjore, mund të debatohen në rrafshin akademik, por integriteti i gjykatës si arbitër final duhet mbrojtur.

Pavarësisht se kush e merr Kryesinë e Kuvendit, e rëndësishme është që Kushtetuta dhe sundimi i ligjit të dalin të paprekur. Vetëm kështu demokracia parlamentare e Kosovës mund t’i mbijetojë kësaj stuhie dhe të forcohet më tej, vetëm kështu, gjykata kushtetuese vetë mund të përparojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pritej që ylli i Kosovës në futboll, Edon Zhegrova të…