ASK: Deficiti tregtar shënoi rritje për 0.3 për qind

25 janar 2021 | 14:16

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2020.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.3 për qind në muajin dhjetor 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 309.2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 308.3 milionë euro në vitin 2019.

Sipas raportit të ASK-së, eksporti mbulon importin me 13.1 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2020 kishte vlerën 46.7 milionë euro, ndërsa importi 355.9 milionë euro, që është një rritje prej 73.6 për qind për eksport dhe 6.2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.6 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1 për qind e përbëjnë produktet minerale; 4.8 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”, është thënë në raportin e ASK-së.

Duke iu referuar këtij raporti, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.4 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7 për qind e përbëjnë produktet minerale; 10.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 10.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.9 milionë euro ose rreth 27.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.6 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.9 për qind), Italia (6.1 për qind), Holanda (2.2 për qind), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 165.2 milionë euro, ose 46.4 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.0 për qind), Italia (5.6 për qind), Greqia (3.8 për qind), Polonia (3.3 për qind), etj”, thuhet tutje në raport, duke u shtuar se në muajin dhjetor 2020 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 23.0 milionë euro ose 49.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 89.6 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (30.7 për qind), Maqedonia e Veriut (9.5 për qind), Serbia (4.7 për qind), dhe Mali i Zi (3.2 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2020 arritën në 69.2 milionë euro ose 19.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67.6 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5 për qind), Shqipëria (5.7 për qind), dhe Maqedonia e Veriut (5.3 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë euro ose 22.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.5 për qind) dhe ShBA (8.1 për qind).

Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 121.5 milionë euro ose 34.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.7 për qind) dhe Kina (10.0 për qind).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka nderuar karateistin nga…