
ASK-ja: Çmimi i rrymës është shtrenjtuar 17.1 për qind
Në gusht të vitit 2025, çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, inflacioni mujor për muajin gusht ishte 0.5 për qind.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në energjinë elektrike, e cila është rritur me 17.1 për qind. Po ashtu, janë shënuar ngritje të çmimeve në kategori të tjera, përfshirë pushimet e organizuara (17.1%), kafetë, çaji dhe kakao (16.7%), pemët (16.6%), dhe mishi (12.4%).
Për këtë periudhë, Indeksi i Tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka shënuar një rritje mesatare prej 4.5%, duke reflektuar ngritjen e çmimeve në grupe të ndryshme të produkteve dhe shërbimeve, përfshirë energjinë elektrike, produktet ushqimore, shërbimet hoteliere, dhe produkte të tjera të konsumit të përditshëm.
Ndër grupet që kanë pasur rritje të çmimeve, përmenden: mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve për transportin personal (10.7%), shërbime të tjera që lidhen me transportin personal (10.4%), perimet (9.7%), vajrat dhe yndyrnat (8.6%), shërbimet hoteliere (8.2%), qumështi, djathi dhe vezët (8.2%), si dhe shërbimet ambulantore (7.3%).
Ky raport tregon se inflacioni ka prekur një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, duke krijuar sfida për qytetarët që përballen me rritjen e çmimeve të produkteve të përditshme.