ASK-ja: Eksporti mbuloi vetëm 12.5 % të importit në dhjetor 2025
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave eksporti ka mbuluar importin me vetëm 12.5 për qind.
Të dhënat tregojnë se deficiti tregtar në këtë muaj ishte 557.4 milionë euro, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0,7 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 561.5 milionë euro.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në dhjetor 2025 arriti vlerën prej 79.4 milionë euro, ndërsa importi 636.9 milionë euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, eksporti shënoi rritje prej 14.1 për qind, ndërsa importi u rrit për 0.9 për qind.
Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 18,1 për qind, pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 15.1 për qind, produktet minerale me 14.4 për qind, plastika dhe goma me 10.7 për qind, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar dhe tekstili.
Në anën tjetër, importi dominohet nga mjetet e transportit me 13.6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13.3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.9 për qind, si dhe produktet minerale me 12.3 për qind.
ASK ka bërë të ditur se eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 23.5 milionë euro, ose 29.5 për qind të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 0.81 për qind.
Importet nga BE-ja ishin 283.2 milionë euro, ose 44.5 për qind të importeve të përgjithshme, me rritje prej 5 për qind.
Ndërkohë, eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 39 milionë euro, apo 49.1 për qind të eksporteve totale, me rritje prej 17.4 për qind, ndërsa importet nga këto vende ishin 75.8 milionë euro, ose 11,9 për qind, duke shënuar rënie prej 23.8 për qind.
Eksportet me vendet e tjera arritën në 17 milionë euro, ndërsa importet 277.8 milionë euro, ku partnerët kryesorë mbeten Turqia dhe Kina.



